Zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, është i mendimit se skuadra shkodrane do të jetë konkurruese deri në fund të sezonit. Ai vlerëson atë që po japin lojtarët në fushën e lojës, por Vllaznisë në këto javë i ka munguar fati.
Ai është shprehur haptas për objektivat madhorë të kuqebluve. Titulli e Kupa janë sërish në fokus. Ndërsa si një ish-trajner i Kastriotit, Plori ka vlerësuar grintën që tregojnë lojtarët e stafi i kësaj skuadre. Gjithsesi, nuk fsheh edhe objektivin e ekipit të tij për këtë sfidë.
Çfarë nuk po shkon te Vllaznia, që pas një ndeshjeje shumë të mirë, nuk arrin të fitojë ndaj ekipeve relativisht të lehta?
Mendoj se te Vllaznia nuk po marrim atë çfarë sportistët po japin në fushën e lojës. Kjo për disa arsye, që në futboll njihen si episode. Episode, që momentalisht na kanë lënë mbrapa me pikë, si për shembull rastet e shumta të shpërdoruara në ndeshjet e fundit dhe disa vendime të gabuara të arbitrave, ku mund të theksoj kartonin e kuq të padhënë në ndeshjen kundër Tiranës, si dhe penalltia, që nuk u dha në minutat e fundit me Egnatian.
Ku po çalon më shumë kjo skuadër?
Normalisht dhe kolaudimi i skuadrës është një problem, sepse ka pasur ndryshime nga viti i kaluar, por nuk duhet të harrojmë se mungesa e golave, nganjëherë bën që edhe cilësitë individuale të vihen në dyshim, sepse djemtë punojnë shume mirë dhe skuadra shkon lehtësisht te porta kundërshtare. Aty hyn cilësia individuale, që përmenda pak më lart.
Dhjetë pikë diferencë me kreun, titulli një objektiv i paarritshëm?
Dhjetë pikë logjikisht janë shumë, por është vetëm gjysma e kampionatit dhe duhet shpresuar dhe besuar se kjo skuadër ka shumë për të treguar në fushën e lojës. Gjithashtu edhe ndeshja me Tiranën, që ishte shumë e mirë për ne. Ne luajtëm me vendin e parë, që ka një diferencë dhjetë pikë me ne, jo si të barabartë, por ne ishim superiorë dhe kjo na bën që të mendojmë dhe të besojmë te forcat tona dhe te gabimet e kundërshtarit.
Këtë fundjavë përballë do të keni Kastriotin. Meqenëse ju e njihni këtë skuadër nga afër, ku mendoni se qëndrojnë pikat e forta të saj?
Kastrioti është një skuadër, ku unë kam punuar si trajner dhe e njoh shumë mirë. Ka disa pika të forta. Në aspektin taktik, ka një mesfushë agresive, të vendosur mirë dhe me cilësi teknike. Gjithashtu dhe nga ana psikologjike janë lart, sepse vijnë pas dy ndeshjeve, ku kanë marrë katër pikë me kundërshtarë të fortë, por si pikë e fortë është dhe grinta që demonstrojnë në fushë në çdo takim.
Shumë mungesa për këtë takim, sa do të ndikojnë?
Kemi mungesa të rëndësishme, por asnjëherë nuk jemi ankuar dhe jemi treguar pesimistë nga kjo pjesë. Arsyeja është sepse edhe lojtarët e tjerë janë po aq të rëndësishëm për ne dhe e dimë shumë mirë që po presin momentin e tyre për të treguar se janë të aftë të jenë titullar dhe se duan të luajnë për këtë fanellë.
Fitorja mbetet objektivi i vetëm për këtë takim?
Normalisht. Ne shkojmë në çdo takim për këtë qëllim.
Si e shihni Vllazninë e dy fazave të mbetura?
Vllazninë e shikoj çdo ditë e më të fortë dhe jam i bindur për këtë, sepse po punojmë të gjithë së bashku që të rritemi në çdo aspekt, organizativ, tekniko-taktik dhe psikologjik. Gjithashtu me inaugurimin e fushës së stërvitjes besoj se edhe cilësia do të jetë më e mirë.
Kupa do të jetë sërish objektivi edhe për këtë sezon?
Kupa është një synim i vënë që në fillim të vitit dhe nuk duhet ta fshehim si ambicie, por duhet të luftojmë fort për të arritur dhe nuk duhet asnjëherë që ta ulim ritmin e të shpërqendrohemi, sepse Kupa ka një specifikë të veçantë. Duhet të jemi të uritur dhe të shfaqim haptazi dëshirën për t’i sjellë këtij klubi dhe qyteti sa me shumë Kupa dhe trofe.