Pas startit fantastik që Mançester Junajtid bëri në Premier Ligë, duke fituar 5-1 ndaj Lids Junajtid, papritur magjia e “Djajve të Kuq” u shua në transfertën në dukje të lehtë ndaj Sauthemptonit, duke barazuar 1-1.
Kjo ndalesë e papritur nuk u pëlqye shumë nga trajneri Solskjaer dhe liderët e formacionit të kuq, ndonëse një statistikë thotë se gjithsesi ky është një rezultat madhështor për klubin nga Mançesteri.
Në stadiumin “St Mary” Junajtid shënoi transfertën e 27-të pa humbje, diçka që në Premier Ligë nuk shihej që prej periudhës së artë të Arsenalit, i cili vendoste rekord mes prillit 2003 dhe shtatorit 2004.
Gjithsesi, në fund të saj ishte Pol Pogba, ai që mendoi të shkundte ekipin:
“Këtu nuk ka përqendrim dhe është e patolerueshme. Me Sauthemptonin ishte një ndeshje në të cilën fitorja jonë duhej të ishte shumë e lehtë. Nëse duam të fitojmë nuk mund të bëjmë hapa fals si këto”, tha mesfushori francez i Junajtid.