Karlo Ançeloti duket se nuk është shumë i shqetësuar për ndeshjen miqësore që humbi ndaj rivalëve të përjetshëm të Barcelonës në sfidën e luajtur mbrëmë në Nju Jork.

Trajneri italian, u pyet menjëherë pas ndeshjes a ishte i shqetësuar pas kësaj sfide, ku duhet theksuar se të dy skuadrat përdorën shumë lojtarë të ekipit të rezervave duke kursyer minutazhin e titullarëve. “Po çmendemi” tha me ironinë e tij të zakonshëm trajneri italian para gazetarëve.

“Nuk po punojmë as me taktikën, as me gjëra të tilla. Objektivi tani është vetëm t’u japim minuta lojtarëve, nuk po mendojmë për temat taktike. Thjesht duam që lojtarët të marrin një formë të mirë fizike. Taktika nis që nga data 7 gusht.

Kemi humbur një ndeshje të luajtur me intensitet të mirë, ne do të vazhdojë punën tonë, duke përgatitur sezonin. As nuk kemi në dispozicion gjithë skuadrën”, tha Ançeloti para mediave në fund të ndeshjes që u mbyll 2-1 për katalanasit.