Opinion nga Blendi DIBRA
Përgatitjet për sezonin e ri futbollistik për çdo ekip si përherë ndeshen me shumë dilema dhe të panjohura të cilat lidhen kryesisht me formimin e ekipit, duke filluar që me caktimin e trainerit, emrat e të afruarve dhe të larguarve të merkatos si dhe shume të papritura të këndshme dhe të pakëndshme të cilat krijohen gjatë zhvillimit të këtyre proçeseve. Duke ju rikthyer përgatitjeve për formimin e ekipit të Vllaznisë që në fillim konstatohet që drejtuesit kuqeblu janë duke bërë një punë mjaft të mirë duke realizuar çdo gjë në kohën e duhur nëpërmjet disa goditjeve mjaft të spikatura. Pa shume zhurmë por në mënyrë mjaft efikase ekipi kuqeblu tashmë ka marrë formën e plotë duke u rikthyer si ekip i elitës në listën e pretendeve. Duke kaluar në një rrjedh kronologjike ecurinë e merkatos duhet theksuar se goditja e parë u realizua duke “rrëmbyer” një nga emrat më të spikatur të pankinave të superligës siç është tekniku Shpetim Duro. Serioziteti i tij njihet kudo nëpërmjet rezultateve dhe sukseseve të shumta në ekipet të cilat ka drejtuar me kompetence. Më pas merkatoja do të vazhdonte në mënyrë të suksesshme me emra mjaft të njohur të futbollit shqiptarë të tillë si Beqiri, Osmani, Shtubina, Nallbani, Begaj si dhe së fundi sulmuesi i talentuar Hysa. Nuk mund të mos përmenden këtu edhe dy emrat e huaj të merkatos shkodrane ku njëri është lojtar mjaft i spikatur në futbollin malazez si Ivan Delic dhe tjetri është mesfushori rumun Kristian Dragoi i cili sezonin e kaluar bëri një paraqitje të shkëlqyer në superligë si pjesë e formacionit krutanë.Por duhet përmendur fakti që gjithë kjo punë e mirë që kanë realizuar drejtuesat e rinj të klubit Vllaznia duhet që të mendoj seriozisht edhe për afrimin e një “lojtari” mjaft cilësorë i cili luan përherë një rol mjaft të rëndësishëm ne arritjen e sukseseve tek Vllaznia, pikërisht ai që ndryshe quhet lojtari i 12-të. Në këtë pikë mendoj që duhet ndalur gjatë duke analizuar me frymë përgjegjësie pasi ndërtimi i një ekipi pretendent bëhet kryesisht për të kënaqur dëshirat e dashamirësve të futbollit dhe qytetarëve të Shkodrës.
Duke ndjekur ndeshjen e futbollit ndërmjet Debreçen dhe Skenderbeut, te vlefshem per ligën e kampioneve te Evropes, qoftë takimin e parë në Korçë apo edhe takimin e kthimit në Hungari, ajo që të bën përshtypje është niveli mjaft i mirë dhe cilësorë i dy stadiumeve. Ndonëse stadiumet i përkasin kapaciteteve të vogla dhe aspak më të mëdha se stadiumi ynë “Loro Boriçi” nga pamjet televizive lehtësisht konstatoheshin që ambjentet ku qëndronin sportdashësit ishin në standarte mjaft të pëlqyeshme.
Menjëherë lind pyetja po Shkodra pse nuk e ka një ambjent të tillë ?
Besoj që gjendja aktuale e stadiumit me disa ndërhyrje emergjente mund dhe duhet të pësojë ndryshime. Ndonëse kohë nuk ka shumë, e rëndësishme është që të fillohet menjëherë nga puna për të përmirësuar infrastrukturën e jashtme dhe të brëndshme të stadiumit “Loro Boriçi”. Prioritet vazhdon të mbetet sistemimi i rrugëve hyrëse për në stadium, largimi i mbeturinave dhe mbetjeve të ndryshme urbane me të cilat spektatorët të cilët i drejtohen shkallëve të stadiumit përballen çdo herë. Po ashtu stolat e dëmtuar të stadiumit duhet që të riparohen ose të zëvendësohen duke ofruar për këtë edhe një sistem meremetimi dhe pastrimi gjatë gjithë kampionatit. Një problem tjetër që duhet menduar sa mëparë është edhe sistemi i hyrjes dhe daljes së spektatorëve në stadium. Për këtë duhet të merret në konsideratë si një nevojë urgjente marrja e masave për parandalimin e mëtejshëm të dëmtimit të stolave të stadiumit ku masa më e parë dhe lehtësisht e realizueshme është që me përfundimin e ndeshjeve të gjitha daljet e stadiumit duhet të hapen në mënyrë të plotë masë që do sillte si rezultat zbrazjen e menjëhershme të stadiumit si dhe evitimin e çdo incidenti nga turmat e sportdashësve.
Një nevojë urgjente është edhe përgatitja e një plani të studiuar marketingu ku të bëhet një ndarje për shitjen e biletave sipas tribunave me çmime të ndryshme, duke i dhënë mundësi grupimeve të ndryshme sociale që të kenë mundësi për të ndjekur ndeshjet e ekipit të Vllaznisë duke i dhënë prioritet mbi të gjitha ultrasve kuqeblu si dhe të rinjve, nxënësve dhe studentëve të qytetit të Shkodrës.
Po ashtu për të bërë të mundur afrimin dhe kultivimin e dëshirës për ekipin e futbollit të Vllaznisë, si një qytet i traditës duhet menjëherë që të bëhet edhe në qytetin e Shkodrës dyqani i suvenireve me emblemat e klubit të Vllaznisë duke ofruar bluza me emrat e lojtarëve të Vllaznisë, flamuj, kapele, çadra etj. Një element i tillë do ta bënte që ekipi i zemrës të ishte më pranë çdo sportdashësi si dhe entuziasmi i tyre në shkallët e stadiumit të bëhej në mënyrën më të përkryer.
Me një ekip të tillë të formuar në mënyrë më të mirë për të qene pretendente besoj që me përfundimin e merkatos do të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme brënda mundësive aktuale për të bërë të mundur afrimin si në sasi ashtu edhe në cilësi të lojtarit të 12-të të Vllaznisë duke bërë të mundur realizimin e ëndrrës së përbashkët të VLLAZNISË KAMPIONE.