Janë rikthyer kampionatet e sporteve midis universiteteve të Shqipërisë. Kështu, qyteti i Shkodrës është bërë pritës i këtyre kampionateve për vitin 2022, aktivitet ky që organizohet në kuadrin edhe të 65-vjetorit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Gjashtë Universitetet e Shqipërisë, Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Universiteti “Fan Noli” Korçë, Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Universiteti “Aleksander Moisiu” Durrës dhe Universiteti “Aleksander Xhuvani” Elbasan, do të masin forcat në tre disiplina sportive, volejboll, basketboll dhe minifutboll, për femra dhe meshkuj.

Në ceremoninë hapëse organizuar paraditën e sotme në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” Shkodër, pas përshëndetjes së pedagogut Fatjon Nurja, fjala përshëndetëse ka ardhur nga Rektorja e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof.Dr. Suzana Golemi.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak Shkodër, Brisela Kadija, e cila duke përshëndetur në emër të qeverisjes vendore, e quajti Universitetin e Shkodrës një vatër të formimit, zhvillimit dhe promovimit të vlerave studentore në vite.

Në vijim, në emër të organizatorëve, ka qenë Nora Deda, pedagoge e degës së Edukimit Fizik të Universitetit të Shkodrës, e cila duke falënderuar strukturat drejtuese të Universitetit për mbështetjen e dhënë si edhe punën shembullore të shoqatës së sporteve universitare të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, si edhe kolegët e saj të degës së Edukimit Fizik, ka deklaruar hapjen zyrtare të garave mes universiteteve.

Përpara se të fillonin konkurrimet zyrtare, ka qenë sporti i Taekwondo, të cilët përformuan për pjesëmarrësit e shumtë që kishin mbushur pallatin e sportit, “Qazim Dervishi”.



Në vijim, sporti i parë që ka hapur programin e konkurrimit ka qenë ai i volejbollit për femra, me duelin mes Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe Universitetit, “Aleksander Xhuvani” Elbasan. Krahas sportit të volejbollit, vijon konkurrimi edhe në sportet e basketbollit, si edhe minifutbollit, për femra dhe meshkuj.

Finalet e Universiteteve mbyllën mesditën e së nesërmes me takimet finale për secilin sport, të cilët do të shoqërohen me shpërndarjen e kupave dhe diplomave përkatëse. Ndërkohë që, të tjera aktivitete sportive priten të organizohen së shpejti.

Maringlen ZHIVANI