Sezoni i shkëlqyer që po zhvillon me Apoloninë, ka bërë që Erald Maksuti të marrë vlerësime dhe elozhe nga të gjithë. Sulmuesi shkodran na ka mësuar me gola spektakolarë dhe me një lojë brilante, çka e bën atë një nga lojtarët më të mirë të Kategorisë së Parë.

Ai vuri firmën e tij në fitoren e fundit ndaj Besës dhe iu bashkua Mentor Mazrekajt në kuotën e 9 golave. Në një intervistë për median e shkruar sulmuesi 20-vjeçar flet për momentin e mirë të tij dhe tregon emocionet e golave të shënuar duke përmendur edhe objektivin e tij personal për këtë sezon.

“Jam shumë i kënaqur që po ndihmoj ekipin çdo javë dhe kjo është e para. Jam në një formë të mirë sportive dhe shpresoj që të vazhdoj kështu. Të gjithë golat e shënuar janë të rëndësishëm dhe kanë veçantinë e tyre, por goli i fundit, ai ndaj Besës, mund të them se ishte më i miri, sepse shtyu ekipin drejt një fitore që na duhej shumë në këtë moment.

Objektivi i parë ka qenë që të kalojë numrin e golave të sezonit të kaluar, që në fakt e kam kaluar. Objektivi i dytë është të kalojë mbi 15 të tillë. Kërkoj të shënoj shumë më shumë. Shpresoj të vijoj me këtë ritëm dhe të marr mbi supe më shumë përgjegjësi”- është shprehur Erald Maksuti.