Nga Endri ÇINARI

Kampionati U-21 i futbollit në vendin tonë ka dy javë që ka ngritur siparin e sezonit 2024-25. Ekipi që po udhëheq pas dy raundeve të para është Vllaznia. Skuadra e drejtuar tashmë nga Edmond Doçi i ka bërë një nisje fantastike edicionit. Ku ka marrë 6 pikë në dy ndeshjet e para, duke treguar kështu ambiciet për këtë sezon.

Shkodranët triumfuan në ndeshjen debutuese kundër Dinamos në shifrat e thella 5-0. Një tjetër sukes pasoi për kuqeblutë edhe në javën e dytë, ku në transfertën e Shijakut përballë Erzenit arritën suksesin në shifrat 2-3. Kështu duke bashkë kryesuar me Apoloninë dhe Bylis pas 2 javësh. Por për shkak të golevarazhit më të mirë aktualisht Vllaznia është e para në kampionatin U-21.

Një element që ka shkëlqyer në këto dy ndeshje të para është Ersi Zaganjori. Mesfushori i cili është pjesë e skuadrës së parë është aktivizuar me ekipin U-21. Në mënyrë që të ketë ritëm dhe minuta në këmbët e tij. Dhe performanca e 19-vjeçarit nuk ka zhgënjyer aspak.

Kjo pasi Zaganjori ka shënuar 4 nga 8 golat e Vllaznisë në dy ndeshjet e para të sezonit. Ku jo vetëm golat, por edhe performanca e fantazistit ka rënë në syrin e të gjithëve. Patjetër ky nivel i shfaqur gëzon edhe stafin e drejtuesit e Vllaznisë, që tek Zaganjori shohin një lojtar të së ardhmes. Ku pas emrave si Delaj dhe Dodaj, ai mund të jetë një tjetër futbollist i ardhur nga akademia që mund të ketë shansin e tij në Superiore në javët e ardhshme./www.shkodrasport.com/