Nga Endri ÇINARI

Shkëndija e Tetovës mori një barazim për “infarkt” në ndeshjen e djeshme të zhvilluar ndaj Shkupit. Në derbin mes ekipeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kuqezinjtë arritën të barazpeshonin shifrat vetëm në minutën e 86-të të takimit. Ku skuadra e njohur tetovare po humbiste ndaj shkupjanëve në shifrat 1-3 deri në minutën e 51-të të ndeshjes.

Një nga protagonistët e skuadrës së drejtuar nga Jeton Beqiri ishte edhe Aleksandër Trumçi. Mbrojtësi shkodran zhvilloi një 90 minutësh për tu mbajtur mend ndaj Shkupit. Duke qenë kështu një nga më të mirët në fushë për të dy ekipet. Ishte pikërisht lojtari i prodhuar nga akademia Shkodra që “gatoi” golin e barazimit të Shkëndijës në minutat e fundit të takimit, shkruan shkodrasport.com

Nga krahu i djathtë ai harkoi mjaft bukur në zonë, pasi më parë kishte kaluar dy kundërshtarë. Topin e hedhur nga shkodrani e shfrytëzoi mjaft mirë Shala, që me rrjetën e tij i dha një pikë me vlera tetovarëve. Të cilët udhëheqin tabelën e klasifikimit me 63 pikë. 4 më shumë se ndjekësit e Sileks, në një moment ku kanë ngelur edhe 4 javë nga përfundimi i sezonit në Maqedoninë e Veriut.

Për Trumçin ky ishte asisiti i katërt sezonal në elitën e futbollit maqedon. Ku 24-vjeçari ka gjetur edhe një herë rrjetën deri më tani. Në rolin e mbrojtësit të djathtë, ai është vlerësuar shpesh si një nga më të mirët në Maqedoninë e Veriut. Ku i ardhur nga Bylis në merkaton e verës së shkuar për shifrën e 50 mijë eurove, Trumçi është shumë pranë shpalljes si kampion i Maqedonisë së Veriut me skuadrën e Shkëndijës.(www.shkodrasport.com)