Nga Endri ÇINARI
U largua në verën e këtij viti nga Vllaznia, duke lënë shkodranët për tu transferuar në kampionatin e futbollit në Kosovë. Fjala është për Geralb Smajlin, i cili tani aktivizohet në rradhët e Ballkanit. Skuadrës nga Suhareka e cila ka bërë historinë e futbollit të të gjithë trojeve shqiptare. Duke arritur të kualifikohet 2 herë rradhazi në grupet e Conference Leagu.
Për t’u kthyer tek Smajli, ai po konsiderohet si një nga afrimet më të mira të kampionatit kosovar këtë sezon. Mbrojtësi shkodran edhe në ndeshjen e fundit kundër Suharekës ishte një nga më të mirët në fushë. Madje duke merituar edhe një vend në formacionin e javës së 9-të në elitën e futbollit kosovar.
Kjo nuk ishte hera e parë që 22-vjeçari ka qenë në formacionin e javës, në këtë mënyrë duke u vlerësuar nga ana e specialistëve. Smajli tashmë është shndërruar në një titullar fiks tek skuadra e Pollozhanit. Ku pavarësisht vështirësive të fillimit, përshtatja e tij me ekipin portokalli dhe futbollin në Kosovë ka ardhur menjëherë.
Ish-futbollisiti i Vllaznisë numëron 89% të ndeshjeve të nisura si titullar dhe 86% të minutave të luajtura deri më tani. Në këto ndeshje ai ka dhuruar edhe 4 asist për shokët e tij të skuadrës, duke qenë një ndër protagonistët kryesorë. Ballkani pas 9 javësh kampionat qëndron në vendin e parë me 17 pikë dhe është sërish pretendenti kryesor për të fituar titullin kampion në Kosovë./www.shkodrasport.com/