Vllaznia është në javën e fundit të përgatitjeve para debutimit sezonal. Shkodranët do luajnë ndeshjen e parë zyrtare për sezonin 2024-25 ditën e enjte, në datën 11 korrik. Debutim që do realizohet për turin e parë të Conference League. Ku kuqeblutë do udhëtojnë drejt Islandës për tu përballur me Valur. Ekip të cilin do e presë në Shkodër pas 1 jave, në datën 18 korrik.

Një duel aspak i lehtë ky për të besuarit e Thomas Brdaric, të cilët do kenë përballë një skuadër që ndodhet në kulmin e sezonit. Kjo pasi kampionati islandez momentalisht është në javën e 14-të të aktivitetit. Dhe Valur po kalon një moment goxha pozitiv. Ku fitoi edhe ditën e sotme në shtëpi përballë Fylkir me rezultatin 4-0.

Në këtë mënyrë duke mbajtur vendin e 2-të në kampionat me kuotën e 28 pikëve. Një nga protagonistët e këtij ekipi dhe lojtari më i mirë është Gylfi Sigurdson. Mesfushori me një eksperiencë të jashtëzakonshme në Premie League. Ku ka luajtur me shumë sukses me ekipe si: Swansea, Totthenham apo edhe Everton.

Pavarësisht se në moshën 34-vjeçare tashmë, ai mbetet një protagonist. Në këtë edicion ai ka shënuar 6 herë dhe asistuar 3 herë të tjera. Duke qenë kështu lojtari më i rrezikshëm tek islandezët. Patjetër tek Vllaznia i dinë cilësitë e ish-kapitenit të Islandës dhe Bradric me stafin e tij do marrin masat për të ndaluar sa më shumë Sigurdson. Futbollist i cili luan totalisht manovrën e skuadrës së Valur.
Endri ÇINARI