Endri Çekiçi është një nga lojtarët më në formë në kampionatin slloven dhe duke u nisur nga ky fakt, ofertat drejt tij janë të shumta. Mesfushori, i cili aktualisht është i angazhuar me kombëtaren kuqezi në ndeshjet e Ligës së Kombeve, pritet të largohet nga Olimpija Ljubjana këtë verë.
Turqia është një destinacion i mundshëm, por nuk përjashtohet as kalimi në një ligë akoma më të fortë. Gjithsesi, për momentin të qëndrojmë në Ballkan, pasi mësohet se një skuadër kroate do 23-vjeçarin. Mësohet se Nenad Bjelica do të vendoset në krye të Osijek dhe ka gati një projekt të ri, që nis nga një listë dëshirash për presidencën.
Në këtë projekt trajneri i ri dëshiron të përfshijë edhe Çekiçin. Mesfushori është një emër i njohur në Kroaci, pasi më parë ai ka luajtur për dy skuadrat e Zagrebit, Lokomotivën dhe Dinamon. Një rikthim në Kroaci është një pistë e mundshme, me Osijek, që së shpejti pritet të jetë një fuqi financiare, pasi presidenca hungareze ka rritur investimet vjetore dhe po punon edhe për ndërtimin e një stadiumi të ri.
Mbetet të shihet se cili do të jetë vullneti i Çekiçit, pasi ai me shumë mundësi dëshiron të kalojë në një ligë më të fortë. Gjithsesi, në rast se përfundon te Osijek ai e ka të sigurt ambientimin dhe gjen atje një bashkëlojtar të kombëtares dhe njohje të vjetër të tij, Eros Grezdën. /vipsport/