Xhenaro Gatuzo duket çdo ndeshje e më shumë i dorëzuar në krye të Milanit. Pas humbjes me Torinon, tekniku kuqezi u shpreh i gatshëm, që klubi t’i bënte “gjyq”, siç e quajti vetë, për t’u larguar ose jo.
HUMBJA – Mendoj se u ndëshkuam nga një incident. Sot skuadra bëri atë që duhet të bënte, ishte thjesht ai incident. Torino të detyron të luash keq, kemi krijuar mundësitë tona, por nuk mund të shkaktojmë një penallti aq naive. Nuk po kënaqemi aq shumë sa dy muaj më parë. Nuk jemi të mprehtë, mendojmë shumë dhe kjo na heq entuziazmin.
Prandaj e them që nuk mund të hyj në mendjen e lojtarëve pasi unë dua që ata të kenë shpirt luftarak dhe vendosmëri, por nuk po ndodh. Unë jam përgjegjës për rezultatet. Jo vetëm që po marrim rezultate të turpshme, por jemi duke turpëruar një klub historik.
SHKARKIMI – Te Milani gjithçka është perfekte, dëgjoj shumë gënjeshtra në media. Ndjej respektin dhe dashurinë e klubit, pastaj nëse nuk kemi rezultate është e drejtë që të më bëhet gjyq. Në këtë moment nuk ia drejtoj gishtin askujt. I vetmi që vihet nën akuzë është trajneri. Të gjitha përgjegjësitë janë të miat.
Lojtarët kanë dhënë sa munden, tani janë në vështirësi dhe nuk janë të qetë. Pyesni klubin. Unë ndihem përgjegjës për këtë situatë dhe nuk bëj pas, kam fajet e mia. Nëse më largojnë, pranoj vendimin qetësisht, i vetëdijshëm se bëra sa munda.