Barleti Volej dhe trajneri i saj, Artan Pogoni, këmbëngul në defektet e lëvizjes së volejbollistëve në merkaton e dimrit, pavarësisht sqarimit të sekretarit të përgjithshëm, Albens Vokopola, një ditë më parë. Madje i ftuar në emisionin “Ditë të Mbarë” në RTSH 2 deklaron se disponojnë dhe dokumente të dala nga Federata Shqiptare e Volejbollit se regjistrimet e lojtarëve janë bërë përtej 31 janarit.
“Ne disponojmë dokumenta të dala nga Federata Shqiptare e Volejbollit për të gjitha lojtaret e huaja që janë dhe e gjithë pjesa dërrmuese e këtyre kanë problematika për sa i përket datës. Por nuk është këtu problemi. Ne presim një përgjigje zyrtare. Kampionati ka filluar, janë luajtur dy ndeshje në fazën e dytë.
Këto lojtare po aktivizohen në këto ndeshje”. Një skuadër “bio” shqiptare si Barleti Volej përballë ekipeve me nga tre lojtare të huaja, të tilla si Partizani, Vllaznia dhe Mirdita, përsëri ia ka dalë. Megjithatë Pogoni, edhe me këto lëvizje jashtë afatit, mendon se favorizohen kundërshtarët.
“Unë kam përshtypjen se të gjitha klubet – thotë Pogoni – kanë pasur mundësinë që gjatë gjithë kësaj periudhe të respektonin të paktën këto data dhe këto afate. Nuk e kuptoj pse duhet tejkaluar kjo datë dhe nëse nuk kanë pasur mundësi t’i bënin, mos t’i bënin fare, sepse po flasim për rregulla loje”. Barleti Volej vjen pas fitores me Partizanin në kampionat, 3-2, ndërsa e ka mundur skuadrën kampione në fuqi tre herë në harkun kohor të gati tre javëve.
“Ne stërvitemi çdo ditë me kokën ulur dhe jemi modest në punën tonë. Rezultatet kanë ardhur si rezultat i kësaj modestie dhe i kësaj pune që ne bëjmë. Volejbolli është një sport që nëse stërvitesh mirë, nëse ndjehesh mirë, nëse je sfidant, sepse natyrshëm ne jemi sfidant. Por të paktën kemi treguar se mund të arrijmë rezultate”. Ndeshja e radhës në kampionat me Vllazninë, të shtunën në ora 16:00 në sallën olimpike “Feti Borova”, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar.
“Gjithsesi edhe Vllaznia ka pasur lëvizje në staf si Partizani. Është larguar trajneri Krroqi dhe ka ardhur Lisha dhe Kalaja, në mos gabofsha. Pra është një Vllazni tjetër nga ajo çfarë ne lamë në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Shqipërisë, atje ku u kualifikuam në Shkodër. E kemi vlerësuar dhe do të vazhdojmë ta vlerësojmë maksimalisht duke i kapur ndeshjet njëra pas tjetrës”, ka përfunduar Pogoni.