Pogradeci i trajnerit shkodran Samuel Nikaj nuk e shikon veten “tranzit” në Kategorinë e Parë dhe drejtuesit kanë nisur një projekt të ri për sezonin e ardhshëm. Sivjet, Pogradeci do të menaxhohet nga një president dhe pritet të ndërtohet një ekip konkurrues. Kështu, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, te Pogradeci ka hedhur firmën në kontratë futbollisti i rradhës.
Ekipit të Samuel Nikajt i është bashkuar një sulmues nga Kroacia dhe bëhet fjalë për Mateo Panadiç, i cili në të kaluarën e tij, ka luajtur edhe në Kosovë me Ferizajn. Për 29-vjeçarin Panadiç, përfshirja me skuadrën pogradecare është e para eksperiencë në futbollin shqiptar. Ndërkohë që, para pak ditësh me skuadrën janë bashkuar edhe mbrojtësit Miklovan Pere, Endrit Kastrati, Ndue Ndreca, si edhe dy mesfushorë cilësorë nga Brazili.
Poashtu nga sa mësohet, përveç futbollistëve të afruar së fundmi, në planet e Pogradecit është afrimi edhe i lojtarëve të tjerë cilësorë dhe nga sa bëhet me dije, në ditët në vijim pritet të firmosë edhe një qendërmbrojtës nga Kroacia. Numri një i pankinës pogradecare, Samuel Nikaj po mundohet që të formojë një ekip konkurrues.
Kjo edhe falë eksperiencës që ai ka patur më parë me klube të ndryshme, të cilat shumicën prej tyre ku ai ka qenë, i ka ngjitur një Kategori më lart. Ndërkohë, ekipi i Pogradecit vijon normalisht seancat stërvitore në stadiumin e qytetit “Gjorgji Kyçyku”. Në ditët në vazhdim janë programuar të luhen edhe disa ndeshje miqësore.
Maringlen ZHIVANI