Pogradeci i trajnerit shkodran Samuel Nikaj ka marrë një barazim të rëndësishëm me rezultatin 0-0 kundër Labërisë në transfertë. Në fakt, ka qenë një 90-minutësh që ofroi shumë luftë sportive, kartonë të verdhë, por edhe një gol të anulluar për Pogradecin.

Megjithatë, mund të thuhet padyshim se është një pikë që më së shumti i shërben ekipit pogradecar të drejtuar nga Nikaj. Realisht, Pogradeci kishte shansin që me një fitore të mundshme të mbante kreun e renditjes sërish dhe të shkëputej nga një rival direkt, siç është Labëria, por nuk ia arriti dot qëllimit.

Pogradecarët arritën të shënojnë edhe një gol, por që u anullua më pas nga treshja e gjyqtarëve me kryesor Olsi Sokolin. Në letër, ky barazim në transfertë dhe përballë një skuadre pretendente siç është Labëria, është për t’u vlerësuar për skuadrën mike, por theksojmë që me rastet e krijuara në portën kundërshtare, Pogradeci ishte shumë më pranë fitores.

Realisht, kanë mjaftuar këto nëntë javë kampionat për të nxjerrë në pah vlerat e trajnerit shkodran Samuel Nikaj. Me punën e tij këmbëngulëse dhe profesionale, ai arriti shumë shpejt ta shndërrojë Pogradecin një skuadër pretendente për vendin e parë dhe ngjitjen në Kategorinë e Parë.

Në nëntë ndeshje deri më tani, Pogradeci ka siguruar shtatë fitore dhe dy barazime, teksa prej tyre gjashtë fitore janë rradhazi. Këto janë shifrat magjike që ka arritur trajneri shkodran Samuel Nikaj me të marrë drejtimin e Pogradecit.

20-gola të shënuar dhe vetëm pesë të pësuar janë shifra që do t’i kishte lakmi çdo trajner tjetër, për më tepër që ka grumbulluar 23-pikë deri më tani. Ekipi i Samuel Nikajt, së bashku edhe me Elbasanin, janë të vetmet skuadra pa humbje në Grupin B të Kategorisë së Dytë. Tashmë pas këtij barazimi, Pogradeci renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 23-pikëve.
Maringlen ZHIVANI