Pogradeci i trajnerit shkodran Samuel Nikaj është ndalur nga Shkumbini në një barazim pa gola dje në stadiumin e Peqinit. Në fakt ka qenë një lojë e fortë, ku nuk ka munguar tensioni dhe për rrjedhojë, Pogradeci pretendent për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë, nuk ia doli dot të marrë trepikëshin e rradhës.

Ekipi i trajnerit shkodran Samuel Nikaj i dha shkëndijat e para që në fillimin e ndeshjes, por pa ia arritur të dalë tek goli. Të dyja skuadrat treguan më tepër një lojë të kujdesshme në mesfushë dhe si rrjedhojë, rezultati mbeti i pandryshuar në pjesën e parë.

Ndërkohë në pjesën e dytë, ka patur edhe një përplasje mes futbollistëve dhe arbitrit kryesor, Olti Çela, i cili ndëshkoi me karton të kuq Berberin e Pogradecit dhe Hasbajramin e Shkumbinit, duke i lënë të dy ekipet me nga 10-lojtarë. Kështu, pavarësisht përpjekjeve të liqenorëve deri në minutat e fundit, ndeshja është mbyllur në barazim 0-0.

Ky rezultat ka dëshpëruar së tepërmi Pogradecin dhe trajnerin shkodran Samuel Nikaj, të cilët kanë humbur shpresat për vendin e parë, duke qenë katër pikë më pak se Elbasani kryesues. Ndërkohë, ndeshjen e rradhës, Pogradeci do ta luajë në shtëpinë e vet ndaj Labërisë.
Maringlen ZHIVANI