Pogradeci arriti një fitore dramatike përballë Erzenit në frymën e fundit të sfidës. Fitore për “infarkt”, por që vlejnë e shijojnë, aq më shumë në situatën ku ndodhej skuadra e trajnerit Nikaj. Liqenorët iu falën golit të kroatit Panadiç në minutën e 93-të, duke arkivuar 3 pikë “të arta”, falë realizimit të sulmuesit 29-vjeçar, i cili konfirmohet si bomberi i skuadrës së Samuel Nikajt me 3 gola të shënuar në 5 javë.

Një duel tepër delikat ai i zhvilluar në “Gjorgji Kyçyku”, për të dyja skuadrat që vinin pas një ecurie negative radhazi. Ngarkesa psikologjike dhe nevoja për pikë u pasqyrua edhe në fushën e lojës nga të dyja skuadrat. Si pogradecarët ashtu edhe shijakasit ishin të nxituar në veprimet e tyre duke gabuar shumë, si në fazën ofensive dhe atë difensive.

Në fragmentin e parë të lojës, vendasit provuan disa herë, si me Panadiç, por edhe me Topllarin dhe Shkulakun, të cilët nuk mundën të konkretizonin. Pavarësisht se loja e Erzenit ishte fokusuar në mbrojtje, edhe skuadra e trajnerit Bespalla tentoi me kundërsulme dhe goditje standarde të befasonte liqenorët, me Oulare, Bespallov dhe Migone, por duket se finalizimi çaloi.

Në startin e pjesës së dytë trajneri Nikaj vendosi të kryente menjëherë 3 zëvendësime, duke hedhur në fushë Beçkën, Kasmollarin dhe Kastratin. Ndërkohë, në minutat në vazhdim edhe Erzeni freskoi skuadrën me zëvendësime dhe dukej se po kënaqej me pikën e marrë, që mund të ishte e para në këtë sezon në Kategorinë e Parë. Ndërkohë që gjyqtari i katërt kishte akorduar 4 minuta shtesë dhe kur të gjithë menduan se ndeshje do të mbyllej në barazim, ishte sulmuesi kroat Panadiç, i cili gjeti golin e avantazhit, në minutën e 93-të, duke çuar peshë zemrat e tifozëve pogradecarë.

Një gol ky që erdhi si shpërthim për liqenorët, të cilët ishin duke vuajtur presionin e rezultatit prej disa javësh. Në krahun tjetër për Erzenin e Justin Bespallës, kjo disfatë dramatike, e komplikon akoma më shumë situatën, ku edhe pse janë luajtur 5 ndeshje, shijakasit nuk e kanë provuar ende shijen e pikës. Në duelin e javës së ardhshme, Pogradeci do të përballet në transfertë ndaj pretendentëve të Vorës, ndërkohë që Erzeni do të presë Kastriotin.

POGRADECI-ERZENI 1-0

GOLI: Panadiç 90+3’