Tomas Strakosha vazhdon që të pa surojë palmaresin e trofeve. Dje ishte i katërti me fanellën e Lacios (me skuadrën e madhe) dhe në total numëron 6 trofe duke llogaritur edhe dy kupat me të rinjtë. Gardiani kuqezi ka arritur të triumfojë në 2 Kupa Italie dhe në dy Superkupa, duke u bërë kështu një nga lojtarët më fitues të Kombëtares shqiptare me skuadrën e tij.

Strakosha është pjesë e bardhekaltërve që nga viti 2012 dhe portieri kuqezi ishte pjesë e skuadrës që në sezonin 2013 triumfoi kundër Romës në finale. Ai ishte portier i tretë, pasi titullar ishte Marketi. Por ky ishte i vetmi trofe që Strakosha e ka fituar pa qenë protagonist. Në të gjithë të tjerët ka qenë titullar, si në Kupën e Italisë të sezonit 2018-2019 dhe në dy Superkupat 2017- 2018, 2018-2019.

Portieri i Kombëtares shqiptare ka qenë pjesë edhe e skuadrës së të rinjve të Lacios, e cila ka fituar një kampionat dhe një Kupë Italie. Mund të themi pa frikë se Tomas Strakosha është shndërruar në një koleksionues trofesh. A do të jetë Seria A me Lacion trofeu i ardhshëm? Shumë e vështirë, por kurrë e pamundur duke parë punën që po bëhet në aspektin drejtues dhe në fushën e lojës nga Inzagi.

VLERËSIMET
“E zgjedh mirë kohën në diagonalen e Kristiano Ronaldos, por e shtyn pak topin. Në këtë mënyrë Dibala mundi të shënonte dhe një përqindje të fajit e ka edhe portieri. Pastaj e merr veten dhe i jep siguri të gjithë repartit mbrojtës”, shkruan portali “tuttomercatoweb”, i cili e vlerëson shqiptarin me notën 6.

Në portalin e tifozëve të Lacios, “lalaziosiamonoi”, gardiani kuqezi merr notë më të lartë, edhe pse është e njëjta linjë mendimi. “Ronaldo godet nga larg dhe ai e ndal, por Dibala është shumë afër dhe e ndëshkon. Është i sigurt me këmbë dhe në dalje. Bën 90 minuta të mira ku nuk trembet aspak nga kundërshtari dhe nga presioni i madh që ka kjo finale”, shkruhet në notën 6,5 të Tomas Strakoshës