Nga Endri ÇINARI

Vllaznia u-19 arriti një fitore tenistike në shifrat 6-1 ditën e djeshme ndaj Bylis. Shkodranët u shfaqën totalisht dominues kundër ballshiotëve. Që nga ana e tyre kanë pretendimet e tyre në këtë sezon. Por përveç performancës së shkëlqyer të ekipit, kishte edhe një element që spikati në këtë duel.

Fjala është për sulmuesin, Klajti Halili të Vllaznisë. Sulmuesi kryesor i skuadrës së drejtuar nga Vioresin Sinani, arriti të shënojë katër gola kundër Bylis. Duke prezantuar një performancë të shkëlqyer dhe që patjetër i shkon sulmueseve. “Pokeri” i shënuar nga Halili, e bën atë tashmë shënuesin më të mirë tek 19-vjeçarët.

Në kuotën e 8 golave, ai kryeson i vetëm listën e shënuesve më të mirë në kampionat. Ku po ashtu ndiqet nga një tjetër shkodran, si Tafili në kuotën e 7 golave, por i cili luan me Partizanin. Duket se tek Vllaznia po rritet një sulmues i së ardhmes, një element që në vitet e fundit ka munguar tek skuadra kuqeblu.

Ku mund të thuhet se prodhimi i fundit i sulmuesit “pykë” nga akademia Vllaznia është Bekim Balaj. Tashmë Halili nga java në javë po tregon se mund të jetë një element i së ardhmes. E patjetër këtë e kanë vlerësuar edhe drejtuesit e klubit, të cilët kanë një vëmendje ndaj elementëve të tillë cilësorë.