Ervis Kraja largohet nga Shkodra dhe emigron në Australi. Ish-mbrojtësi i njohur shkodran, trajner i Vllaznisë B në tri sezonet e fundit, e sheh të zymtë të ardhmen e ekipit shkodran tashmë që u rikthye edhe në Kategorinë Superiore.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kraja shigjeton politikën si faktorin kryesor pse Vllaznia nuk po ngre kokë. Sipas ish-lojtarit, në këtë situatë që është klubi, duket gati e pamundur që të shpresohet për një Vllazni ndryshe.
“As lojtarët që mund të kenë shprehur dëshirën që të jenë pjesë e Vllaznisë, nuk mund të presin pa limit drejtuesit e klubit. Atëherë kur do dhe mund të bëhesh gati ti, nuk ke ku gjen lojtarë. Me sa duket, ku futet politika, nuk ka hajër as në sport”, ka theksuar Kraja.
Kraja, situata duhet se po rëndohet nga dita në ditë tek Vllaznia. Si e shpjegoni?
Është diçka e vërtetë, që nga dita në ditë situata tek Vllaznia po vështirësohet dhe sidomos në këto momente, ku askush nuk di të thotë çfarë do të ndodhë me klubin. Nuk po ndërtohet një ekip dosido, por po ndërtohet Vllaznia dhe me këtë situatë të ndërlikuar së tepërmi edhe nga politika, me sa duket, do të jetë ajo që mund ta pësojë më tepër. Kur askush nuk di se çfarë do të bëjë dhe askush s’po merr përsipër këtë klub, çfarë mund të thuhet më tepër.
Çfarë prisni të ndodhë, pasi klubi konfirmoi pak ditë më parë se deri në qershor skuadra do të ishte gati…?
Shikoni, edhe nëse në këto momente do të niste puna, do të thosha se nuk ishte vonë. Por, me sa duket, ku futet politika, nuk ka hajër as në sport. Ajo që duhet të ishte bërë më shpejt, do të ishte bërë e mundur kalimi i klubit në duart e privatit. Kjo do të ishte si shpëtim për klubin dhe do t’i linte të gjithë të qetë për të shikuar një Vllazni ndryshe.
Dukeni shumë skeptik për të ardhmen…?
Të them të drejtën, nuk shikoj asnjë dritë jeshile për momentin. Gjithçka është e turbullt dhe nuk dihet si do të veprohet. Shkurt, sot nuk di askush të japë edhe “receta”.
Thatë që nuk shikoni dritë jeshile. Kaq të zymtë duhet ta shikojmë Vllazninë e këtij sezoni që u ngjit edhe në Superiore?
Më vjen keq ta them, por deri tani nuk shoh ndonjë gjë për të më dhënë shpresë. Gjithsesi, shpresa kur nuk duhet humbur. Ndoshta në ditët në vijim situata mund të ndryshojë dhe Vllaznia do të ribëhet. Por, nëse vazhdon edhe për pak ditë kjo situatë, atëherë nuk pres që të shikoj një Vllazni ndryshe nga ajo e viteve të fundit. Të jemi koshientë, as lojtarët që mund të kenë shprehur dëshirën që të jenë pjesë e Vllaznisë, nuk mund të presin pa limit drejtuesit e klubit. Atëherë kur do dhe mund të bëhesh gati ti, nuk ke ku gjen lojtarë.
Kur ekipi i parë ka këto vështirësi, po për ekipin e dytë që drejtuat për afro tri sezone, çfarë mund të thuhet…?
Unë shpresoj që të mos ndodhë kjo që do të them, por në një situatë të tillë Vllaznia B do të shkrihet. Unë do të largohem jashtë Shqipërisë për në Australi së bashku me familjen dhe shpresoj që profesionin tim ta ushtroj edhe atje, pasi këtë kemi bërë gjithë këto vite. Por, mund të them se Vllazninë B e dinë të gjithë se si e kemi mbajtur apo e thënë ndryshe se çfarë kam hequr për ta mbajtur, thjesht që një pjesë e atyre djemve të Shkodrës të mos largoheshin. Duke ditur vështirësitë, tashmë mendoj se Vllazninë B e pret shpërbërja.