Artim Pollozhani është i bindur se do ta çojë Flamurtarin në Superiore. Trajneri i ri pranon se e presin 4 finale deri në fund, ku duhet marrë maksimumi.

Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Pollozhani thekson se ishte një ftesë e papritur nga Idrizi. Ai mendon se skuadra ka më shumë nevojë për përmirësim në aspektin psikologjik.

Pollozhani pret të debutojë me fitore në Burrel, ndërsa për të ardhmen s’mendon. Fillimisht do të realizojë atë që presin të gjithë, ngjitjen në elitë. Në Burrel mungon mbrojtësi Allmuça, i pezulluar nga kartoni i kuq, por edhe Lorenc Trashi do të lihet pushim për shkak të dëmtimit që mori ndaj Pogradecit.

Pollozhani, rikthimi në Vlorë si trajner a ishte një ftesë e papritur?

Po, ishte e papritur si ftesë. Më vjen keq që gjërat shkuan pas, pasi stafi me në krye trajnerin Agostinelin bënë një punë të shkëlqyer, por janë gjëra që ndodhin në futboll. Nuk kanë rëndësinë emrat, por klubi duhet të arrijë objektivin që ka, se u bë kohë e gjatë që Flamurtari nuk është në Superiore. Jashtë çdo emri apo personi fizik, i pari është klubi dhe pastaj vijnë të gjithë poshtë.

A keni marrë përsipër një përgjegjësi të madhe në këto momente?

Patjetër, përgjegjësia është e madhe. Është një klub me histori dhe që meriton këtë vit të ngjitet në elitë. Ekipi është në rrugën e duhur për të arritur objektivin, që sigurisht ka qenë i pari dhe i vetmi që në fillim të kampionatit. Unë mendoj se kemi dhe 4 finale, e para nis të dielën me Burrelin. Nuk duhet të na kapë euforia dhe të themi, që jemi me gjysmë këmbe apo një dhe dy këmbë në Superiore. Në elitë futesh kur je matematikisht. Kështu që, duke filluar nga finalja e parë, duhet të punojmë për të marrë një rezultat pozitiv dhe për t’i bërë gjëra më të lehta për vazhdimin e kampionatit. Është fundi dhe secili klub bën llogaritë e veta. Ne nuk na intereson dhe duhet të futemi tek ai objektiv, që i kemi vënë vetes në fillim.