Marko Pontreli, ish-presidenti i Dinamos, pretendon se nuk është mbajtur fjala nga Ardian Bardhi dhe nga drejtuesit e tjerë të klubit blu sa i përket mënyrës se administrimit.

Ai lë të kuptohet se ka edhe probleme financiare ende të pazgjidhura mirë, por më pas saktëson se nuk janë ato çështje primare. Pontreli thotë se e ka bërë padi në gjykatën e Tiranës, pasi ai së bashku me 5 këshilltarët e tij janë hequr padrejtësisht nga bordi i administrimit të klubit blu.

“Dinamo është OJF dhe si e tillë ka një bord drejtimi, i cili ka zgjedhur një president apo një drejtues kryesor, i cili është z.Bardhi” – deklaron Pontreli ekskluzivisht për “Panorama Sport” – Mirëpo gjatë muajve të fundit janë bërë ndryshime të kundërligjshme dhe unë kam bërë padi në gjykatë”, vazhdon Pontreli.

MOSMIRËNJOHJE

Marko Pontreli thotë se ai është burrë dhe i qëndron fjalës, por natyrisht u beson më shumë letrave. “Dinamo funksionon si OJF dhe ka bordin e saj drejtues.

Problemi është që pasi vendosën në mënyrë të njëanshme të ndryshonin logon dhe markën e këtij klubi kaq të rëndësishëm dhe pasi fshinë çdo gjurmë dhe çdo kontribut timin, tani mësojmë se unë dhe 5 këshilltarët e mi nuk jemi më në bordin drejtues të klubit, siç patëm rënë dakord që në fillim.

Për mua kjo është e patolerueshme dhe është mosmirënjohje. Kam shpenzuar para dhe shëndetin tim për Dinamon. Në fund arritëm një sukses të shkëlqyer dhe klubi u kthye në elitën e futbollit shqiptar.

Ndërsa tani këta po përpiqen që të fshijnë gjithçka timen dhe kërkojnë të më lënë jashtë në mënyrë arbitrare. Mendoj se e drejta është me mua dhe kam bërë padi në gjykatën e Tiranës.

Jam i bindur se gjykata do të më japë të drejtë dhe unë do ta rimarr klubin.

Është e padiskutueshme që do ta rimarr klubin, sepse dokumentet janë të qarta. Jam përpjekur të flas me zotin Bardhi dhe ta zgjidhim me të mira, por nuk ia dola dot dhe tani i jam drejtuar gjykatës”, ka deklaruar Pontreli.