Vllaznia ka filluar të marrë formë. Trajneri Canaj me ndihmësit e tij Nikaj dhe Legata gjatë këtyre ditëve që po punojnë me skuadrën, kanë arritur të krijojnë një ide të qartë për secilin futbollist. Megjithatë ka ende dilema për portën dhe për sulmin. Mbrojtja dhe mesfusha kanë lojtarë të mjaftueshëm për të përzgjedhur më pas ata që do luajnë si titullarë në ndeshjet zyrtare. Ende nuk ka një siguri të tillë për portën dhe mesfushën. Sa I takon së parën, edhe drejtori sportiv Grima, një ish-portier I njohur, e ka deklaruar hapur se të tre portierët që janë aktualisht në skuadër, nuk japin shumë garanci për ta patur portën të sigurtë. Në kushte të tilla do të tentohet deri në fund për marrjen e një portieri tjetër. Kjo do të thotë se shqiptaro- malazezi Enis Gjokoviç me shumë siguri nuk do të firmosë me këtë skuadër. Se kush do të jetë portieri titullar I Vllaznisë në sezonin e ri, ende nuk dihet. E njëjta dilemë edhe për sulmin. Aktualisht është Rexha lideri I këtij reparti por edhe ai ende nuk ka firmosur sepse po sheh edhe njëherë tjetër kushtet e kontratës. Megjithatë edhe kosovari nuk ofron shumë garanci se mund të jetë njeriu që do zgjidhë fatet e sulmit të kësaj skuadre. Të tjerët, Gjini, Guri e Idrizi, nuk janë ende aty ku duhet prandaj mbase duhet tentuar edhe për një sulmues tjetër në merkato.

 

Trajneri: Marrim lojtarë vetëm që bëjnë diferencën
Tek Vllaznia janë duke u provuar aktualisht disa futbollistë. Megjithatë trajneri Canaj edhe publikisht e ka bërë të qartë se nuk do të marrë asnjë futbollist tjetër “jabanxhi” nëse ata nuk bëjnë diferencën me shkodranët që janë pjesë e skuadrës. “Po provojmë dhe do provojmë ditët e ardhshme dhe futbollistë të tjerë megjithatë nëse ata nuk janë më të mirë se të rinjtë shkodranë nuk do t’I mbajmë në skuadër”- ka thënë ai.