Edhe pse nga drejtuesit e Vllaznisë po punohet për skuadrën e sezonit të ri, duket sikur ka pak vonesë në afrimet e saj. Merkatoja ka ngecur me gjashtë afrime dhe kuptohet që këto ardhje nuk do të jenë të fundit, pasi ekipi kuqeblu ka nevojë edhe për të tjerë.
Kështu, Vllaznia ka bërë gjashtë afrime zyrtare deri tani. Kuqeblutë kanë siguruar shërbimet e lojtarëve si Ildi Gruda, Eslit Sala, Darko Dodev, Konstantin Cheshmedjiev, Redon Dragoshi dhe Milos Stojanoviç.
Në anën tjetër, janë larguar fillimisht kapiteni Erdenis Gurishta, Herald Marku, Liridon Latifi, Ardit Hoxhaj, Kaina Nunesh, Ante Aralica, Dajan Shehi, Arsid Kruja, Elvedin Heriç, Darko Bulatoviç, ndërsa pas tyre ikën edhe Fjoart Jonuzi dhe Kristijan Vulaj, me 12-të prej tyre të cilëve u mbaroi kontrata, ndërsa fantazisti shqiptaro-malazez nuk ishte më në planet e klubit.
Shumë lëvizje në dalje, po të kemi parasysh faktin se Vllaznia po ri-organizohet edhe njëherë nga fillimi. Edhe sa u takon afrimeve, ritmi i deritanishëm është i ulët dhe për më tepër, ato i takojnë vetëm dy sektoreve, mbrojtjes dhe sulmit, me mesfushën që deri tani është “gropë”.
Një merkato me “frena dore” në një fare mënyre për shkodranët, që kanë hasur jo pak vështirësi. Disa prej emrave që ishin në fokusin e kuqebluve, tashmë janë sistemuar në skuadra të tjera dhe kjo i ka bërë më të vështira afrimet e Vllaznisë së sezonit të ri. Megjithatë, në kampin kuqeblu kanë besim se do të kenë një grup të plotë për të përballuar kampionatin.
Në anën tjetër, porta mbetet një nga temat më të diskutuara te Vllaznia dhe që ende nuk ka marrë zgjidhje konkrete. Nëse drejtuesit nuk binden, nuk është aspak çudi që ata të vazhdojnë me portierin Kristi Qarri. Tashmë, mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë emër të ri për kuadratin e portës kuqeblu apo jo.
Në fakt, edhe nëse titullar do jetë Qarri, shkodranët sërish kanë nevojë për një portier tjetër, sepse Jukaj dhe Lekaj, që kanë aktualisht në skuadër, janë rrespektivisht nga 18 dhe 16-vjeç, teksa natyrisht që nuk kanë eksperiencë për të luajtur në një ndeshje të Superiores akoma.
Maringlen ZHIVANI