Një portier shkodran, 18 vjeçar Marco Molla është grumbulluar për herë të parë me kombëtaren shqiptare dhe përpos tij, një tjetër portier shkodran firmos një kontratë profesioniste me një ekip të rriturisht në Greqi.

Bëhet fjalë për Kristian Rrokun, i cili ditën e sotme ka firmosur me ekipin FC IONIKOS. “Shkodra Sport” meson se drejtuesit e këtij të fundit kanë këmbëngulur për ta bërë pjesë të tyre dhe në fund kanë arritur ta bindin atë dhe prindërit për të firmosur.

Ndonëse 17 vjeç, Rroku do të jetë portieri i dytë i këtij ekipi që sivjet merr pjesë në kategorinë e parë të futbollit grek dhe ka objektiva serioze për t’u ngjitur në Superligën greke.

Drejtuesit e IONIKOS e konsiderojnë një element me shumë perspektivë dhe jo më kot kanë firmosur me të. Portieri Rroku deri para pak ditësh ka qenë pjesë e Akademisë së klubit të mirënjohur Olimpiakos dhe drejtuesit e saj e kishin projektuar për të qenë në portën e ekipit U19, por në fund janë mërzitur nga largimi i tij.

Kujtojmë që Kristian Rroku ka qenë prej kohësh portier i kombëtarës U17 së Shqipërisë që drejtohet nga trajneri Elvin Beqiri ku ka bërë paraqitje shumë të mira.

Tek IONIKOS tashmë do të ketë mundësi t’i tregojë edhe më mirë vlerat e tij. Kujtojmë që në këtë skuadër kanë luajtur më parë edhe të tjerë portierë shqiptarë dhe mjafton të përmendim Arjan Beqajn, ish- portierin e kombëtares shqiptare.

Një nga njerëzit që ia njeh mirë vlerat Kristian Rrokut, është ish- portieri i Vllaznisë dhe Besëlidhjes Julian Gjeloshi. Duke folur në lidhje me këtë talent të portës, ai për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Kemi të bëjmë me një portier me shumë të ardhme dhe jo më kot drejtuesit e Ionikos e morën në ekipin e parë dhe firmosën kontratë profesioniste me të ndonëse është vetëm 17 vjeç.

Kristiani është 1.90 metra i gjatë, ka aftësi të mirë si në lojën në ajër ashtu edhe poshtë dhe me vullnetin që e karakterizon në stërvitje, jam i bindur se ka për të ecur shumë përpara. Jam i bindur se ka për të qenë e ardhmja e portës së kombëtares shqiptare”./SHKODRA-SPORT.COM/