Razak Abalora u bë protagonist për Elbasanin në barazimin e së premtes ndaj Vllaznisë. Portieri afrikan i verdhebluve, përveç se priti një 11-metërsh të Bekim Balajt, kreu edhe disa pritje vendimtare gjatë ndeshjes.

Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes me shkodranët, Abalora është shprehur për pikën e marrë në stadiumin “Loro Boriçi”. Ai ka theksuar se Elbasani kërkon të ngjitet më lart në renditje dhe po ashtu do të kërkojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë të martën po ndaj Vllaznisë.

Abalora, si do ta komentonit barazimin e marrë në Shkodër ndaj Vllaznisë?

Besoj se ishte një ndeshje e barabartë, ku të dyja ekipet shfaqën gjëra të mira. Një pikë në transfertë ndaj ekipeve kryesuese dhe sidomos ndaj Vllaznisë, nuk është kurrë keq.

Të martën luani sërish në Shkodër, por kësaj radhe për Kupën e Shqipërisë. Si e prisni këtë sfidë?

Luajmë përsëri këtu në Shkodër dhe do të synojmë kualifikimin, pse jo. I kemi mundësitë dhe cilësitë për ta bërë një gjë të tillë. Thjesht do të duhet të jemi të përqendruar dhe të japim më të mirën tonë.