kënderbeu është i përqendruar maksimalisht te ndeshja e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë. Një betejë delikate dhe e vështirë për korçarët, që do të kërkojnë fitoren e parë në kampionat ndaj shkodranëve, duke ndalur ecurinë pozitive të Vllaznisë në javët e fundit.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, për gardianin bardhekuq Marko Alia, kjo ndeshje është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për faktin që Vllaznisë nuk i kanë marrë asnjë pikë në këtë sezon, por edhe se humbja e fundit ndaj tyre me rezultatin 5-0 “djeg” ende si një plagë e hapur. Edhe pse situata tashmë është krejt ndryshe, bardhekuqtë janë të bindur që mund të marrin një rezultat pozitiv në këtë takim edhe për faktin se ekipi po kalon një moment të mirë në javët e fundit.

“Pas fitores së fundit në Laç, mund të them se jemi duke kaluar një moment të mirë në këtë pikë të kampionatit. Jemi rritur si grup dhe mbi të gjitha rezultatet e fundit na kanë dhënë besim se mund të ecim në këtë rrugë edhe në vazhdim. Përpara kemi një ndeshje tejet të vështirë me një kundërshtar, që na ka marrë pikët e plota.

Po e vlerësojmë në maksimum këtë ndeshje dhe besoj se do të hyjmë në fushë me mentalitetin e duhur, që i shkon përshtat fanellës së Skënderbeut. Personalisht mund të them se pesë golat e pësuar në ndeshjen e fundit ndaj tyre më dhembin ende dhe nuk janë diçka e lehtë për një portier, që të pësojë aq shumë në një takim.

Ndaj një revansh do të ishte ‘ilaçi’ më i mirë për të shëruar ‘plagët’ e asaj ndeshjeje. Nga ana tjetër që të jem i qartë, këtë takim nuk e shohim si një hakmarrje. Është një ndeshje radhe që ne i kushtojmë të njëjtën rëndësi, si të gjitha sfidat e tjera. Vllaznia është një ekip shumë cilësor dhe për këtë meriton respektin maksimal. Por nga ana tjetër ne jemi Skënderbeu dhe do të hyjmë në fushë me objektivin e vetëm për të bërë një ndeshje të mirë dhe pse jo, të marrim pikët maksimale”, theksoi fillimisht portieri i Skënderbeut.