Kris Nil, portieri i Flitud Taunit, ruajti rrjetën e tij të paprekur në sfidën e djeshme ndaj Leiçesterit, e cila do të përsëritet, pasi e tillë është edhe rregullorja e “FA Cup”. Gardiani 32-vjeçar ndali me sukses të gjitha goditjet në portën e tij nga Xhemi Vardi me shokë. Paraqitja e tij jo vetëm që i jep një tjetër mundësi skuadrës për t’u kualifikuar për turin pasardhës, por edhe për vetë Nil ka pasur benefite në nivel personal. Pikërisht sponsori i skuadrës “Papa John’s” për të vlerësuar ndeshjen e numrit 1 të skuadrës së kategorisë së dytë, duke i dhuruar atij një vit pica falas në të gjitha piceritë e saj.

Në skuadër nuk mungon ky produkt edhe për arsye sponsorizimi, por duke qenë se flasim për profesionistë, portieri nuk mund të abuzojë me “abonimin” e tij të ri ushqimor.

Nga ana e tij, gjiganti 188 cm nuk duket se e ka mendjen te picat dhe deklaron se mezi pret të luajë përsëri ndaj Leiçesterit: “Kur nën drejtimin e Klaudio Ranierit fituan titullin, isha ndër mbështetësit më të zjarrtë të asaj skuadre”.Nga ana tjetër, edhe për Xhemi Vardin kjo përballje ka veçantinë e saj. Sulmuesi anglez ka qenë pjesë e Flitud Taunit përpara se të kalonte për 1 milion stërlina në skuadrën ku do të shpallej kampion Anglie falë një serie fitoresh që pasionoi shumë njerëz pas përrallës futbollistike të Leiçesterit.

Vardi është po ashtu një frymëzim për Nil që golat ka për detyrë t’i ndalë dhe jo t’i shënojë: “Ai është një shembull për mënyrën se si ka punuar e ku ka arritur. Unë shpresoj të luajë kundër nesh në ndeshjen e Kupës, të gjithë ne duam të luajmë kundër më të mirëve të mundshëm”.