Besa e drejtuar nga trajneri Mirel Josa ka kapur ritmin fitues që pas barazimit me Flamurtarin në shtëpi në javën e fundit të fazës së parë. Një sukses jo i vogël ishte kualifikimi në Kupë, ku eliminuan Flamurtarin në Vlorë. Padyshim, këto fitore kanë edhe kontributin e një portieri si Jurgen Mehidri, i cili në 13 javë të Kategorisë së Parë ka pësuar vetëm 3 gola.
Përtej peshës dhe ndihmesës që i jep një prapavijë solide, sa herë ka pasur nevojë ekipi, ai ka qenë aty me pritjet shpëtimtare. “Të mbrosh portën e Besës e quaj privilegj, por edhe një përgjegjësi të madhe. Kur them këtë, kam parasysh faktin se një gabim i vogël i kushton ekipit dhe na penalizon marrjen e fitores. Jam munduar të bëj më të mirën, por jam me fat që mbrojtja ma lehtëson mjaft detyrën time”, u shpreh fillimisht Mehidri. Besa do të presë Pogradecin këtë fundjavë. Sipas portierit, fitoret janë detyrim për Besën dhe i vetmi kusht për të arritur objektivin madhor. “Një ekip që pretendon të ngjitet në Superiore, mendoj se fitoret janë rruga e vetme për objektivin.
Jo më kot, Besa që në start u konfigurua me lojtarë cilësorë, me përvojë dhe këtë gjë po e dëshmon javë pas jave. Pas çdo fitore, trajneri Josa na e thotë vazhdimisht, se përpara kemi sfidën e radhës dhe nëse nuk fitojmë përsëri, atëherë fitorja paraardhëse zbehet. Shembullin e kemi, pasi me barazimet në Shijak dhe me Vorën, bëmë që rivalët të na bashkohen me pikë, ndërkohë që Vora dhe Flamurtari fituan me Erzenin. Kështu që, një, dy apo tri fitore nuk vlejnë, nëse nuk kemi vazhdimësi”, shtoi Mehidri. Lidhur me kalendarin favorizues të Besën, Mehidri nuk pajtohet dhe kujton shprehjen e Josës pas ndeshjes me Peshkopinë.
“E tha qartë trajneri Josa pas fitores në Peshkopi, nuk kalendari ai që e pasqyron nëse jemi apo jo favorit. Korabi ishte i fortë, por ishte Besa që ia lehtësoi vetes fitoren me lojën që zhvilloi. Pra, e kemi vetë në dorë fitoren. Këtë duhet të bëjmë edhe këtë fundjavë, teksa presim Pogradecin. Çdo ekip mund të bëjë keq nëse e lejon me lojën që zhvillon”, përfundoi Mehidri për “Panorama Sport”.