Kukësi arriti të mbyllte sezonin 2018-2019 me një trofe duke qenë se fitoi Kupën e Shqipërisë në finalen e madhe të luajtur në “Elbasan Arena”. Të besuarit e Gjokës, arritën të mundin me rezultatin 2-1 skuadrën e Tiranës falë golave të shënuar nga Rexhinaldo dhe Shkurtaj.

Kjo ndeshje përkon edhe me fundin e disa kontratave te Kukësi dhe një ndër to është ajo e portierit të ardhur nga SPAL në huazim, Mauris Gomis. Portieri italiano-senegalez këtë sezon nuk arriti të gjente minuta të mjaftueshme duke qenë se nga janari, luajti vetëm në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Kastriotit. Nëpërmjet një postimi në “Instagram”, portieri e ka pranuar se ky ishte një nga sezonet e tij më të vështira.

“Sezoni im mbyllet sot. Ishte një sezon shumë më i vështirë nga sa unë e kam pritur. Ndoshta ishte sezoni më i vështirë që nga koha kur kam nisur që të luaj. Kanë ndodhur shumë gjëra të papritura dhe të pabesueshme por secila situatë më ka ndihmuar që të rritem më shumë.

Nuk u dorëzova kurrë dhe mund të jem krenar me veten time për këtë sepse vetëm unë e di se çfarë kam kaluar. Realisht jam shumë i lumtur që e mbylla sezonin me këtë trofe, për një sezon më të mirë”, shkruhej në postimin e futbollistit. /VipSport/