Daniel Fuzato është një emër i panjohur për shumëkënd dhe nuk ka si të jetë ndryshe pasi pakkush njeh portierin e tretë të Romës i cili luan me ekipin e të rinjve.
Por djaloshi këtë muaj është bërë protagonist, pasi është ftuar në grumbullimin e përfaqësueses së Brazilit për dy miqësoret që do të luajë ndaj Argjentinës dhe Koresë së Jugut.
Një vendim i çuditshëm i trajnerit Tite, edhe pse askush nuk pret ta shohë në fushën e lojës portierin i cili as me klubin e tij nuk ka zbritur ndonjëherë në fushë në ndeshje zyrtare.
Alison dhe Ederson janë dy emrat e padiskutueshëm të portës së përfaqësueses braziliane dhe për këdo tjetër do të jetë e vështirë për disa vite që të parakalojë një nga këto dy gardianë.
Ndaj për Fuzati mbetet vetëm kënaqësia se është stërvitur me disa nga yjet më të njohur të futbollit botëror, siç ka treguar vetë me një postim në rrjetet sociale.
“Çfarë ndjesie, kam mbetur pa fjalë! Ky është momenti të mësoj dhe të përfitoj në maksimum nga çdo situatë”, shkruante ai. /vipsport/