Ndeshja e djeshme ndaj Tiranës ka dhuruar një zhgënjim sa i takon rezultatit që prodhoi në fundin e saj. Humbja 2-0 nuk është pritur aspak mirë nga opinioni sportiv në Shkodër sepse në fund të fundit Tirana ndodhet një kategori më poshtë. Por në këtë takim stafi teknik i Vllaznisë ka bërë disa “eksperimente” duke dashur t’u japë mundësinë disa lojtarëve që nuk kishin luajtur dhe aq shumë në kampionat. “Basti” i trajnerit Gjoka dhe stafit të tij ka qenë kryesisht i fokusuar tek portieri Sherri dhe sulmuesi Ribaj.

I pari në fakt ka bërë një paraqitje perfekte dhe mund të themi se nëse skuadra shkodrane pësoi vetëm dy gola në këtë takim, merita është e këtij portieri i cili sidomos në 2-3 raste ka bërë pritje të shkëlqyera. Një prezantim i tillë me siguri do të bëjë që Sherri të jetë sërish në portë edhe të dielën ndaj Laçit dhe pse jo edhe më tej. Por sakaq, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për sulmuesin Ribaj. Ai pothuajse nuk ka prodhuar asgjë në 90 minutat që ka qenë në fushë. Edhe një rast i bukur që iu krijua në minutën e 51-të pas pasit të shkëlqyer të Likës, nuk u shfrytëzua si duhet prej tij dhe për këtë arsye, i dha mundësinë mbrojtësit të Tiranës për të ndërhyrë dhe për ta larguar topin jashtë vijës fundore. Mbase një paraqitje e tillë do të bëjë që Ribaj të përfundojë sërish në stol dhe Vllaznia t’ia besojë sulmin sërish Atsinës.

© shkodrasport.com