Portieri Alen Sherri është kthyer në një idhull për skuadrën dhe tifozërinë e Egnatias, duke qenë nga më të spikaturit në sezonin e fundit të Superiores.
Sherri është një portier që nuk ka frikë të thotë hapur se Egnatia nuk i trembet asnjë lloj sfide. Nga ky këndvështrim do të bëjë gjithçka që të fitojë dhe ta eliminojë Araratin e Armenisë, të enjten në “Elbasan Arena”, pohon ai në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”.
Egnatia është para një momenti historik. Një rezultat pozitiv e kalon në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Sa është i mundshëm ky objektiv?
Duke marrë parasysh rezultatin e ndeshjes së parë, shanset janë në duart tona. Na motivon barazimi 1-1 në Ararat. Historinë e mirë e pasurojnë rezultatet e mira. Vazhdimësia pozitive them se do të flasë për ne edhe te ndeshja e kthimit që është tashmë vetëm pak orë larg.
Ju i përkisni grupit të futbollistëve që sezonin e shkuar kishit arritje vërtet për t’u vlerësuar. Sa ka ndihmuar ruajtja e boshtit aktual sipas jush?
Është shumë pozitive ruajtja e përbërjes së ekipit, pasi është ndër faktorët kryesorë për një tjetër sezon të suksesshëm për ne. Pavarësisht disa largimeve që normalisht janë prezente kudo, afrimet cilësore të bëra nga Egnatia të mbushin me kurajë edhe më të madhe. Të gjithë e kuptojnë tashmë se më ndryshimet që kemi pësuar, synimi i vetëm yni është rritja e cilësisë dhe shkrirja në një e të gjitha aftësive tona si skuadër. Tek Egnatia, e them me krenari se është si një familje, të cilët funksionojnë në harmoni të plotë me njëri– tjetrin.
Si portier jeni shndërruar në një prej shtyllave të fortësisë së kësaj Egnatie. Diçka për formën dhe synimet tuaja?
Më vjen mirë që konsiderohem i tillë dhe kam arritur të jem i vlefshëm për ekipin. Sezoni i shkuar ishte shumë pozitiv për mua në Rrogozhinë. Ndërsa tani është shumë e rëndësishme mendoj mbajtja dhe ruajtja sa më gjatë e formës së mirë që kemi të gjithë si skuadër.
Duke analizuar ndeshjen e parë dhe pikat e dobëta të armenëve, a mund të arrihet kualifikimi këtë të enjte ndaj Araratit?
Ararati është një ekip për t’u vlerësuar dhe me elementë cilësorë. Por, ndaj tyre ne arritëm të krijojmë volum më të madh loje e raste më të shumta shënimi. Madje, po t’i kishim shfrytëzuar më mirë, sot do të flisnim ndryshe. Megjithatë, e rëndësishme është që edhe Ararati e pa forcën tonë konkrete në sulm, sepse te porta e tyre u luajt më shumë topi. Për fitoren dhe kualifikimin duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe cinikë.
Në Rrogozhinë shprehjen “mbrojtja më e mirë është sulmi” apo edhe të anasjellën e kësaj shprehjeje, po e përdorin gjithnjë e më shpesh. Një opinion juaji?
Ndeshjet e Europës kanë specifikë tjetër. Ne si skuadër i kemi të dyja të mira. Nuk janë vetëm 90 minuta, por 180 në total. Pra, luhen thuajse si ndeshjet e Kupës. Në Armeni, duke e ditur që edhe ekipi kundërshtar do të ishte në kërkim të rezultatit, sepse luanin në shtëpinë e tyre, në arritëm falë këmbënguljes e besimit në forcat e aftësitë tona të marrim një rezultat pozitiv. Tashmë ne e njohim më mirë kundërshtarin. Ne do të jemi në shtëpinë tonë. Kështu që mendoj se ndeshja e kthimit do të ketë një interpretim krejt tjetër nga ne, për të përmbushur me sukses misionin tashmë krejt të mundshëm të kualifikimit tonë për në turin e dytë, ku të kemi përballë grekët e Arisit të Selanikut. Por, le të kapërcejmë një herë ekipin armen dhe pastaj të vijojmë të shohim edhe më përpara.
Çfarë thirrje do t’u drejtonit tifozëve në këto momente?
Tifozët tanë kanë qenë fantastikë, sidomos kur kujtojmë finalen e Kupës dhe trofeun e fituar me plot meritë nga ne. Ai sukses do të mbetet gjatë në memorien time dhe në memorien e të gjithë atyre që e përjetuan festën e gëzimin e papërsëritshëm të asaj nate. I bëj thirrje që të jenë po aq të shumtë në stadiumin e Elbasanit, që ne na ka sjellë gjithmonë fat. U them tifozëve se ne e kemi ndarë mendjen njëherë e mirë. Duam të fitojmë e të kualifikohemi dhe që festa e përbashkët jona si futbollistë me tifozët të marrë sa më shumë kuptim.