Portieri i dytë i Vllaznisë Alen Sherri nga dje pasdite është bashkuar me ekipin e Romës në një provë katër ditore. Një gjë e tillë nuk ka kaluar në heshtje për mediat italiane të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë këtij fakti. Jo më kot, ata komentojnë fakti se zbuluesi i njohur i talenteve Valter Sabati “ka peshkuar” talentin e portës shkodrane dhe dëshiron ta ketë tek Roma. Megjithatë, prova e nisur që pasditen e djeshme, do të vazhdojë deri të enjten dhe më pas do të vendoset. Nëse gjërat shkojnë mirë, kontrata mund të firmoset në muajin janar të vitit të ardhshëm, edhe pasi t’i ketë mbushur 18 vjeç. Vetë Sherri nuk ka munguar të flasë për mediat italiane duke zbuluar edhe një fakt interesant: atë që e ka kërkuar edhe Borusia Dortmund.
“Roma ka qenë gjithnjë ekipi im i preferuar, sëbashku me Real Madrid ngaqë tek ky i fundit luante Kasijas që ishte idhulli im. Unë e kam pëlqyer gjithmonë Tottin dhe kam zgjedhur Romën pavarëisht kërkesave që kam patur nga Bazeli dhe Borusia e Dortmundit. Do të jap më të mirën për të bindur stafin teknik të më mbajnë në skuadër. Nëse kjo ndodh, do të transferohem këtu vetëm në muajin janar. Kam shumë për të mësuar nga Szczesny dhe De Sanctis”- ka thënë Sherri për “Gazzeta dello Sport”. Në qendrën sportive të Trigorias ku është e grumbulluar skuadra e Romës, portieri i dalë nga Akademia Vllaznia, nuk ka munguar të bëjë një foto bashkë me menaxherin e tij, me një emër të madh të këtij klubi, Bruno Konten. Sot foto me të, nesër ndoshta mund të jetë pjesë e kësaj skuadre dhe të preferuarin e tij, Françesko Tottin mund ta ketë shokë ekipi.
Gjergj KOLA