Prova katër ditore e portierit me origjinë shkodran Marco Molla tek Akademia e Milanit ka përfunduar tashmë.
Sportisti i talentuar që ende nuk i ka mbushur 16 vjeç ka lënë përshtypje të mira dhe tashmë kontaktet për blerjen e kartonit të tij mesa duket kanë nisur.
Kuqezinjtë mesa duket kanë ndër mend ta marrin si një portier të perspektivë dhe fillimisht të luajë për ekipin e të rinjve të tyre.
Lajmin e bën të ditur ekskluzivisht për “Shkodra Sport” babai i tij, Besnik Molla që shprehet: “Për disa ditë ishim në Milano ku Marco u provua tek Akademia e Milanit.
Të gjithë specialistët e saj e vlerësuan për të dhënat që ai posedon dhe nga informacionet që na ka bërë të ditur menaxheri i Pratos që ishte me ne, në ditët në vazhdim, mund të ketë edhe një ofertë zyrtare për të.
Prato zotëron kartonin e djalit tim dhe duke parë se janë disa skuadra që kanë shfaqur interes për të, normalisht që duan të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij.
E rëndësishme është që Marco të ketë një karrierë të suksesshme përpara. Deri tani çdo gjë po shkon ashtu si duhet, të shohim pastaj se çfarë do të ndodhë në vazhdim”.
Kush është Marco Molla?
Ai është me origjinë nga Shkodra por prindërit e tij kanë emigruar pas viteve ’90 drejt Italisë.
Ai ka lindur në qytetin e Firenzes më 19 qershor 2002. Futbollin e nis herët, i injektuar edhe nga i vëllai më i madh që ka nisur të luajë më shpejt.
Por nëse i vëllai luan si sulmues (ai është 18 vjeç), Marco zgjedh të bëhet portier.
Ingranohet me ekipet e moshave të këtij qyteti dhe në moshën 12 vjeçare në një turne me pjesmarrjen e 27 skuadrave nga mbarë Europa, ai merr kupën e futbollistit më të mirë të tij.
Pikërisht ky sukses, bën që drejtuesit e Akademisë së Pratos ta marrin në rradhët e tyre.
Ka firmosur me ta një kontratë 4 vjeçare dhe tashmë janë vetë drejtuesit e këtij klubi që duan të përfitojnë prej tij. Ua sugjerojnë klubeve të ndryshme, kryesisht atyre më me emër të Italisë.
Bëhet fjalë për Inter, Atalanta, Empoli dhe së fundi tek Milan. Përshtypjet rreth tij kanë qenë shumë pozitive dhe negociatat për blerjen e kartonit të tij kanë nisur.
Por drejtuesit e Pratos nuk kanë ndër mend “ta shesin lirë” një talent të tillë. Për këtë arsye, po negociojnë dhe padyshim që duan të përfitojnë sa më shumë prej këtij portieri.
E ardhmja e tij duket e sigurtë, problemi është se cili do të jetë ekipi i tij i ardhshëm.
Përveç kësaj, Marco prej dy vitesh është edhe pjesë e kombëtares U-17 të Shqipërisë.
Trajneri Mustedanagiç dhe stafi i tij, e kanë përzgjedhur prej kohësh ta kenë në rradhët e tyre dhe paraqitjet e këtij djaloshi kanë qenë të mira.
Ka mbrojtur portën e Shqipërisë edhe në turneun e fundit që u zhvillua në San Marino ku ka luajtur në dy ndeshjet e para të tij.
Madje në sfidën ndaj Italisë përveçse ka pritur 11-metërshi, trajneri Mustedanagiç i ka besuar edhe gjuajtjen e një 11-metërshi dhe ai ka qenë i suksesshëm.
Duket se kemi të bëjmë me një portier me shumë të ardhme por shumë shpejt, është e sigurtë se për të do të dëgjojmë lajme të mira.
Gjergj KOLA