Nga Fabiola CAKA

Nesë flasim për portieret e kampionatit shqiptar, njëra prej tyre që po spikat prej disa sezonesh eshte padyshim edhe Elseida Muçejani. Ajo ka lindur në Shkodër dhe banon në fshatin e Bushatin, një vend i vogël me mentalitet të dobët.

Kjo e fundit në fakt nuk ka qenë një pengesë për 19-vjeçaren e cila vendosi të merret me futboll dhe vazhdon ta ndjekë akoma edhe sot ëndrrën e saj, atë të futbollit.

E datëlindjes 28.06.2001, Elsaida u bë pjesë e skuadrës së “Juban-Danjës” që në moshën 11-vjeçare duke zgjedhur të ruante portën e kësaj skuadre.

Shkaku që Elsaida vendosi të merrej me futbollishte motra e saj e madhe e cila bënte pjesë që herët në përbërjen e “Juban-Danjës”. Kështu që edhe ajo u bashkua dhe ndryshe nga motra e saj, ajo nuk hoqi dorë.

Shikonte ndeshjet me shumë zili dhe këmbënguli çdo ditë duke punuar fort, për të zënë vend në formacion. Kjo kohë nuk zgjati shumë, pasi deshira dhe këmbëngulja e saj ishte më e madhe se çdo gjë tjetër, më e madhe edhe se porta kur ajo ishte në atë moshë.

Falë kësaj pune të palodhur, Elsaida u bë shpejt portierja kryesore e ekipit të saj dhe gjithashtu pjesë e Kombëtares Shqiptare U-19.

Karriera e saj ka kaluar përmes sakrificash, por 19-vjeçarja e kuptoi se nuk kishte asgjë të pamundur.
Ndryshe nga moshatarët e saj, koha e Elsaidës ishte e kufizuar për shkak se i duhej të ndiqte shkollën dhe stërvitjen njëkohësisht.

Ka pasur raste kur ka luajtur edhe e dëmtuar, në ndihmesë të skuadrës. Këto e shumë të tjera Elsaida i ka shumëzuar me zero dhe ka ndjekur ëndrrën e saj. Dhe ja ku është sot.

Numëron disa sezone me ekipin e saj, me dy gola të shënuar në momente të veçanta, 9 ndeshje zyrtare me Kombëtaren Shqiptare U-19, por ndërkohë synon të arrijë akoma edhe më lart.

Dëshira e saj është të ketë performanca sa më të mira me ekipin aktual, “Juban Danja-Murlanin” dhe shprehet se “mundohem të jap më të mirën, sepse luaj me më të mirat e kampionatit”.

Një qëllim tjetër i Muçejanit është të përfaqësojë vendin me Kombëtaren A dhe pse jo,të ndjek hapat e idhullit të saj Marc ter Stegen. Ky ishte portreti i kesaj sportisteje që ka sakrifikuar jo pak në karrierën e saj, por që në fund të fundit është e kënaqur me ato cfarë ka arritur dhe me mendimet e qarta edhe për gjërat e tjera që do të arrijë në të ardhmen.