Duhet të ishte kurorëzimi i tij. Teksa Kupa e Botës e vitit 1998 në Francë po afrohej, Ronaldo ishte në majën e botës. Ai kishte fituar dy vite rresht çmimin Lojtari më i Mirë në Botë dhe ishte fituesi në fuqi i Ballon d’Or. Menjëherë pas turneut ai do të emërohej lojtari më i mirë. Ajo çka kishte mbetur ishte të udhëhiqte Brazilin drejt titullit të pestë botëror. Se çfarë ndodhi në të vërtetë në mbrëmjen e 12 korrikut të vitit 1998 nuk do të qartësohet asnjëherë. Ajo çka dimë është se doktori i ekipit të Brazilit u thirr menjëherë nga Roberto Carlos në dhomën e hotelit të Ronaldos, ku sulmuesi po vuante nga spazma të tmerrshme të shkaktuara nga ankthi dhe nervoziteti.

I hequr në fillim nga lista e titullarëve, Ronaldo më pa u rifut në formacion një orë përpara se të fillonte ndeshja, përpara se të paraqitej si hija e atij lojtari që njihnin të gjithë.

Thashethemet sugjeruan se influenca e Nike ishte ajo që detyroi Ronaldon të futej në fushë në atë gjendje, me sponsorët kryesorë të Brazilit që ishin të dëshpëruar për të parë lojtarin kryesor në fushë kundër Francës, të cilët sponsorizoheshin nga Adidas. Një super yll 21 vjeçar thuhej se ishte kthyer në një ushtar të korporatave. Katër vitet e Ronaldos midis 1998 deri 2002 kryesisht u kaluan në perioda të ndryshme rehabilitimi, duke u riaftësuar nga një tendinë e këputur në 1999 dhe një dëmtim në ligamentin e gjurit në 2000. Midis nëntorit të 1999 dhe majit të 2002, Ronaldo kreu vetëm 17 ndeshje midis moshës 23 dhe 26, vitet kulmore të një sulmuesi modern. Megjithatë arriti që të ishte pjesë e Selecaos në botërorin e 2002 në Korenë e Jugut dhe Japoni.Historitë e sportit janë të mbushura me rikthime të mëdha, por vetëm disa mund të krahasohen me atë të Ronaldos. Katër vite pas natës së tmerrshme në Paris, numri 9 brazilian ai del nga stadiumi “Yokohama International” duke besuar se ai ia kishte arritur. “E kam thënë edhe më parë se fitorja ime e madhe ishte vetëm të luaja sërish futboll, të vrapoja sërish dhe të shënoja gola,” shprehej ai. Jo vetëm që brazili fitoi ndeshjen dhe Ronaldo shënoi dy golat e finales, ai fitoi Këpucën e Artë dhe më pas mori çmimin e Lojtarit më të Mirë në Botë për të tretën herë. Përpara Kupës së Botës, Ronaldo nuk kishte luajtur asnjë ndeshje ndërkombëtare që prej korrikut të 1999. Teksa qëndronte mbi shpatullat e shokëve të ekipit, flamuri brazilian i mbështjellë në shpatullat e tij, një ëndërr e pamenduar u realizua kundër të gjitha gjasave.

“Kjo i jep shpresë të gjitha atyre që janë të dëmtuar,” tha doktori që kreu operacionin e gjurit të Ronaldos, i cili ishte ftuar nga lojtari për të parë finalen. “Edhe ata që nuk janë sportistë, për të parë se duke luftuar mund t’ia dalësh.” Nuk kishte dyshime se Ronaldo do të ishte një yll. Duke u rritur në bento Riberio dhe duke fjetur në një divan pasi familja e tij nuk kishte mjaftueshëm krevate, gjithçka që donte të bënte është të luante futboll. Në moshën 16 vjeçare ai u shit për 50,000 $ te Cruzerio. Në moshën 17 vjeçare ai shënoi pesë gola në një ndeshje kampionati, ai u mor në Kupën e Botës dhe u shit te PSV Eindhoven. Në moshën 20 vjeçare ai u bë lojtari më i mirë në botë.

“Nuk doja që ai të luante futboll,” rikujton mamaja e tij. “Çfarë të ardhme do të kishte? Nuk mund ta pranoja që biri im mendonte vetëm për futbollin. ‘Do të bëhem i pasur dhe do të kujdesem për familjen time,’ më thoshte.” Të luaje si sulmues u bë e vështirë në lojën moderne, me lojtarë që u kërkohej të mësonin role të ndryshme. Ronaldo rrënoi gjeneratën e ardhshme, pasi ai e kishte të lehtë. Me shpejtësinë e një mbrojtësi anësor, forcën e një qendërmbrojtësi, atributet dribluese të një sulmuesi anësor dhe finalizimin e një sulmuesi, ai ishte qendërsulmuesi perfekt i cili përdorte të dy këmbët, vetëm për qejf. Ronaldo nuk ishte elegant në plot kuptimin e fjalës, të paktën jo për një brazilian, por aftësia e tij e pastër ishte mahnitëse. Ishte një nga të parët që ngjante si një lojtar pro evolution-i.


Ai ishte më i miri i gjeneratës së tij. “Si një futbollist ai ishte i kompletuar. Nuk do të ketë një lojtar më të mirë se ai,” thotë Zlatan Ibrahimovic, ndërsa Thierry Henry përshkruan si: “Ronaldo bënte gjëra që askush nuk i kishte parë.” “Ai ka qenë sulmuesi më i mirë që kisha parë,” ka thënë Lionel Messi. Edhe më të mirët duhet të kenë një stil të veçantë. Të kaloje portierin ishte kthyer në një specie në zhdukje, me mënyrat e ndryshme që kishin dalë në skenë. Është një nga betejat më të mira individuale në sport, një lojtar që kërkon të tregohet më dinak se tjetri. Ronaldo e ktheu në një formë artistike. Kontrolli i topit dhe shpejtësia e tij ishin atributet që bënin portierët të dukeshin të pashpresë. Por më e rëndësishmja ishte gjetja e kohës.

I pyetur në Spanjë nëse trajnerët e tij shqetësoheshin për këtë taktikë me rrezik të madh, Ronaldo qeshte: “Nëse i mban numrat e golave të shënuar të larta, trajnerët të lejojnë të bësh çfarë të duash. Mënyra se si shënon nuk ka rëndësi.” Ai e kishte shumë gabim – për ne që e shihnim nga televizori i shtëpisë – asgjë nuk kishte më shumë rëndësi. Ato gola ndihmuan të krijohej Il Fenomeno. Megjithëse rekordi i Ronaldo-s te Inter dhe Real ishin super, ishte viti i tij te Barcelona që na dha pamjen më të madhe të magjisë së tij të vërtetë. 47 golat në 49 ndeshje erdhën përpara Messi-t dhe Cristiano-s. “Mund të shkosh ku të duash në botë por nuk do të gjesh një lojtar që mund të shënojë golat si ai,” thoshte Bobby Robson. “A mund të më tregojë njeri një lojtar tjetër?”

Ronaldo shënoi 250 gola deri në moshën 23 vjeçare, por vetëm 50 pasi u bë 30 vjeç. Bobby Robson beson se pa ato dëmtime, ai do të diskutohej si lojtari më i mirë në historinë e futbollit. Edhe problemet me peshën, ishin një sëmundje. Ronaldo vuante nga hypothyroidism, një kondicion që i ngadalësonte metabolizmin. “Për ta kontrolluar, duhet të përdoren medikamente që nuk lejohen në futboll, shumë njerëz duhet të ndihen keq rreth komenteve të tyre për peshën sime.” Më shumë se statistikat e tij, Ronaldo ishte një brazilian i vërtetë, një lojtar i mbushur me gëzim. Buzëqeshja e tij po aq e njohur sa atributet e tij, dhe përulësia e tij i mundësoi dashurinë e popullit brazilian. Kur mori rrogën e parë, Ronaldo bleu një mbulesë të re për kolltukun e vjetër që të dukej i bukur në mungesën e tij. Ai jepte shumë para për bamirësi në vendin e tij.
“Paraja nuk më intereson shumë,” shprehet Ronaldo në një intervistë të 2007.

“Nuk shpenzoj shumë, të mirat materiale nuk ma mbushin syrin. Ndonjëherë blej një orë, dhe një javë më pas e kam harruar. Nuk më intereson luksi. Nuk është i rëndësishëm. Kur isha fëmijë isha i varfër, por më pëlqente çfarë bëja. Është akoma e njëjta lojë që dashuroja atëherë. Kur jam në fushë, në ndeshje stërvitore, është një kënaqësi.” Por trupi i Ronaldos nuk ishte bërë për të luajtur futboll në moshë madhore. Lot rrodhën në faqet e tij kur shpalli largimin e tij nga futbolli në moshën 34 vjeçare. “Karriera ime ka qenë e bukur, ka qenë e mrekullueshme. Kam pasur shumë fitore. Bëra shumë shokë. Duhet të pranoj humbjet e mia. Kam dhimbje edhe kur ngjis shkallët.” Shoku nuk ishte te largimi i tij nga loja, por nga fakti që zgjati aq shumë. “Faleminderit, Fenomen,” shkruante O Globo.

Football against poverty 2014 Bern

Të matësh suksesin e çdo karriere është subjektive, por gati e pamundur kur vjen puna te Ronaldo. Magjia e Pele-së është se talenti u bë një lojtar i mrekullueshëm edhe teksa po kalonin vitet. Për Ronaldon, kjo ishte një karrierë me një vrull të madh dhe periudha të gjatë me dhimbje koke. Prapë, me Ronaldon çmimet dhe prestigji nuk kishin rëndësi. Gjithmonë do të qëndrojë pyetja ‘po nëse nuk do të ishte dëmtuar’. Si ç’ka thënë ish-trajneri i Brazilit: “Historia e jetës së tij është një shembull. Ai duhej të duronte shumë dhimbje dhe vuajtje, por ai gjithmonë i kalonte.” Madhështia e Il Fenomeno nuk do të vihet asnjëherë në diskutim. Gjithçka që ai donte nga jeta ishte të bëhej lojtari më i mirë në botë dhe të kujdesej për familjen e tij. Ai i bëri të dyja që në moshën 20 vjeçare. Të tjerat ishin një bonus i mrekullueshëm. Mbase nuk kemi për të parë më kurrë një lojtar si ai.

© shkodrasport.com