Proverbi i famshëm “Rroftë mbreti”, “Poshtë mbreti” ka zënë vend aktualisht tek Vllaznia. Por ndërkohë, ai është shndërruar në “Poshtë Sukaj”, “Rroftë Sukaj”.
Në dy ndeshjet e para të këtij viti, ai është kritikuar jo pak për “mbipeshën”, “formën e dobët” e shumë gjëra të tjera.
Aftësitë e tij të spikatura u shumëzuan me zero. Por po ky lojtar sot “e shpëtoi” Vllazninë. Nëse nuk do ta kishte shënuar golin e parë në minutën e 64-të ashtu si di vetë ai, nuk dihet si do kishin shkuar gjërat.
Edhe sot, ishte i njëjti Sukaj, ai i mbipeshës, i formës së dobët. Por nuhatja dhe aftësia për të shënuar u konfirmuar edhe njëherë se nuk i kishte ikur.
Prandaj, ju lutemi shajeni sërish. Vazhdoni, bëjeni mirë! Kjo do “t’ia shtojë inatin” edhe më shumë “Xhevos”. Do të tentojë të shënojë sërish gola të tjerë sepse për këtë ka ardhur tek Vllaznia.
Do ta bëjë pikësëpari për veten por edhe për Vllazninë. Ai për këtë ka ardhur. Për t’u treguar të gjithëve se “Xhevahir Sukaj” ende nuk ka mbaruar. Sot nuk bëri ndonjë “mrekulli”.
I dha tre pikët e para skuadrës së tij. Shpresojmë të vazhdojë kështu, t’i japë edhe të tjera sepse situata ende nuk është përmirësuar. Prandaj, ju lutemi shajeni sërish, vazhdojeni të thërrisni “Poshtë Sukaj”.
Me sa fuqi që të keni. Sepse në fakt, në fund të sezonit mbase do të jemi të detyruar t’i ulemi të gjithë në gjunjë dhe të thërrasim “Rroftë Sukaj”. Atëherë kur ai të ketë shpëtuar Vllazninë dhe t’i jemi të gjithë mirënjohës.
© shkodrasport.com