Ajo çfarë ndodhi mbrëmjen e së martës natyrisht që ka lënë një shije të keqe tek të gjithë në Shkodër. tifozët, ata që kishin qenë të pranishëm në pallatin e sportit apo të tjerë që e kanë mësuar më pas, kanë ndjerë keqardhje për atë se “po bëhemi gazi i botës”. Dështimi i ndeshjes së Ligës Ballkanike për shkak të defektit në tabelën elektronike dhe atë të 24 sekondëshit, sigurisht që ka zhgënjyer edhe vetë përfaqësuesit e klubit Vllaznia, të shoqatës së basketbollit Vllaznia dhe po ashtu edhe të Bashkisë Shkodër.

Këto tre organizma kanë qenë organizatorët e kësaj ndeshje dhe natyrisht që dje kanë diskutuar gjatë sëbashku për atë çfarë ndodhi. Për këtë arsye, merret vesh se ditën e djeshme ka patur një takim në zyrat e Bashkisë në mes kryebashkiakut Luka, shefit të klubit Kroqi dhe presidentit të shoqatës së basketbollit Dibra. Ata mësohet se kanë diskutuar me shqetësim për incidentin e ndodhur ndërkohë që z. Luka ka dashur të nxjerrë edhe përgjegjësinë se faji i kujt ka qenë. Nga ana e përfaqësuesve të klubit dhe të shoqatës së basketbollit, është mësuar se ka qenë Federata ajo që e ka posoritur tabelën elektronike, ndonëse paraëtë, afro 8 mijë euro, janë paguar nga presidenti Dibra dhe Bashkia Shkodër. Ka qenë Federata ajo që ka marrë përsipër edhe montimin përfundimtar të tabelës duke kthyer për në shtëpi teknikët kosovarë që e kishin sjellë. Kjo ndoshta tregon edhe gabimin e madh që është bërë sepse përgjegjësit nuk duhej lënë në duart e të tjerëve, çka çoi edhe në mosvënien në funksion të kësaj tabele. Në opinionin sportiv shkodran dje ka patur mendime të tilla që dikush duhej të jepte dorëheqjen pas këtij skandali të ndodhur megjithatë duket se nuk do ketë vendime të tilla edhe për atë sepse ka tre muaj që e gjithë organika e klubit shumësportësh Vllaznia është aktivizuar maksimalisht për të rregulluar çdo gjë në ambjentet e brendshme dhe të jashtme të pallatit të sportit, vetëm e vetëm që kjo ndeshje të shkonte mbarë.
Xhami i thyer nga Sarajlija
Ajo që ka rënë në sy në momentin kur u vendos se ndeshja nuk do të luhej, ka qenë irritimi i basketbollistit slloven të Vllaznisë Mirza Sarajlija. Ai ka patur diçka t’u thotë delegatit të ndeshjes dhe gjyqtarëve që vendosën moszhvillimin e saj por është penguar nga shokët e ekipit. Në nerva e sipër, Sarajlija ka thyer edhe xhamin e dhomës së zhveshjes. Sipas tij, mund të ishte gjendur një zgjidhje për zhvillimin e kësaj ndeshje sepse po u çonin dëm tre muaj stërvitje dhe lodhje. Megjithatë ky irritim nuk ka sjellë gjë sepse ata kanë vendosur që ndeshja të mos zhvillohej. Edhe për atë se stafi i Mornar nuk kishte shumë dëshirë ta luante ndeshjen duke shfrytëzuar parregullsinë e tabelës.
Teknikët kosovarë dje në Shkodër
Ditën e djeshme teknikët kosovarë të firmës që e ka shitur tabelën elektronike kanë qenë në Shkodër. ata e kanë zbritur nga muri atë dhe janë marrë gjithë ditën për të parë defektin që shfaqi. Ende nuk dihet nëse është defekt i bërë nga parregullsia e lidhjes apo fabrikisht. Me shumë mundësi sot do të merret një vendim, nëse do rregullohet apo do kthehet andej nga ka ardhur për t’u kolauduar sërish. Ajo një ditë do vihet në punë por dëmi që ka shkaktuar ka qenë shumë i madh dhe nuk dihet se kush do paguajë për atë. Më shumë sesa material, dëmi i shkaktuar ka qenë moral sepse ka dëmtuar rëndë imazhin e klubit Vllaznia dhe të Shkodrës.

© shkodrasport.com