Vllaznia zhgënjeu në javën e katërt të kampionatit të Superiores. Shkodranët u përmbysën në shifra, ku pas avantazhit 0-1, ndeshja u humb në fund 2-1 ndaj Laçit. Një takim që la një shije të hidhur, kjo edhe për nivelin e treguar nga kuqeblutë në fushën e lojës.
Notat pozitive në këtë duel patjetër janë të pakta për ekipin e Memellit. Një prej tyre mund të quhet Lorik Boshnjaku. Mesfushori kosovar dha iluzonet e një fitoreje të lehtë të Vllaznisë në Laç. Kjo pas golit të shënuar nga ai që në minutën e 3-të të ndeshjes. Ku pas një aksioni të nisur nga vetë ai, numëri 17-të finalizoi mjaft bukur me kokë.
Ky ishte goli i dytë për 28-vjeçarin në këtë sezon me ekipin kuqeblu. Duke treguar për formën e mirë personale që po kalon ish-kapiteni i Prishtinës. Por gjithashtu edhe pozicioni i ri në fushën e lojës. Ku tashmë si një mesfushor më i avancuar, Boshnjaku është shumë afër portës. Dhe pas Balajt tashmë ai është golashënuesi i dytë tek Vllaznia.
Patjetër që është e rëndësishme për një skuadër që ta gjejë golin në mënyra dhe me lojtarë të ndryshëm. Por tek Vllaznia këtë sezon ka munguar ndoshta deri në këto çaste loja e mirë në skuadër. Dhe pavarësisht se mund të ketë pasur disa performanca individuale pozitive, ekipi duhet të gjejë me patjetër vazhdimësinë në javët e ardhshme.
Endri ÇINARI