Nga Besnik Dizdari

Nuk duhej të na shpëtonte ky 60-vjetor i rrallë për historinë e sportit shqiptar, më saktë të politikës shqiptare, e po aq të jetës kulturore sociale në tanësi. Nuk është përkujtuar asnjëherë. Nuk është përimtuar kësisoji asnjëherë deri më sot. Nuk di t’i jetë kushtuar ndonjë leksion, të paktën në shkollat tona sportive.


Nuk është përmendur as nën zë prej asnjë studjuesi të sportit shqiptar. Nuk është përmendur kurrnjiherë as prej Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe as prej asnjë Federate Shqiptare të Futbollit (sepse ka të bëjë shumë sidomos me te) dhe as prej asnjë forumi a organizimi sporitiv. Nuk është vënë në vend deri më sot dinjiteti i atyre protagonistëve, të cilët i qenë përveshur punës për të rimëkambë sportin e themeluar në Mbretëri, edhe pse në kushte të një politike që sportin e përdorte edhe për sundim. Eshtë përmendë, madje shkruar vetëm prej autorit të këtushëm në librin e tij “Historia e Kampionateve të Shqipërisë II” (vitet ’40). Dhe vetëm kaq. Nuk mjafton. Mû për këte po përfitojmë prej 60 vjetorit të ngjarjes për ta treguar ate në një pamje tjetër, edhe më të thellë, edhe më shtérruese. Edhe sepse ajo është e pashembullt në historinë e pasur sportive të Evropës.

Edhe Partizani e ka Kampionatin e tij të mohuar

Ndonëse jo ashtu të plotë si SK Tirana dhe Vllaznia me tre Kampionatet e tyre Kombëtare të Luftës, dhe as si në atë të rrëmbyer të 17 Nëntorit më 1967, prej një vendim të pashembullt në histori, në një farë mënyre edhe Partizani e ka Kampionatin e tij të fshirë nga historia.

Më 1948 mbas zhvillimit dhe mbarimit të Kampionatit Kombëtar të këtij viti, në Shqipëri do të niste një tjetër Kampionat Kombëtar, që për fat Partia do ta zhdukte prej historisë. Ndonëse ai me ecurinë e tij pat qenë pararendës i kampionateve modernë të Shqipërisë simbas stilit evropianoperëndimor. Mirëpo, një ditë të bukur vjeshte atij i ka thënë ndal mû ajo që nuk duhej t’i thoshte: politika. Kështu ai është shuar papritmas, pa mëshirë, pa mundur të mbrohet prej askuj. Dhe është zhdukur.

E prapseprap ai mbetet një histori. Historia nuk mund të shuhet kurr, prej askuj. Për sportin shqiptar ky kampionat “i fshehur” mbetet aty, në javët e ditët e tij tërheqëse, në emocionet e ngjarjet e tij.

E vërteta është se Kampionati Kombëtar i Futbollit i vitit 1948, i fituar nga Partizani, është zhvilluar normalisht. Kështu ka kaluar vera. Një verë që ka mjaftuar që njerëzit e mençëm të futbollit të kuptonin tashmâ se Shqipëria mesdhetare, fare pranë Perëndimit, madje në kufij me te, ta zhvillonte Kampionatin simbas këtij modeli: vjeshtë – pranverë. Kjo do të thoshte që kampionati i ri i Shqipërisë të fillonte në shtator e të përfundonte në gjysmë të vitit të ardhëshëm. Ashtu siç luhej në Italinë fqinje ku Lushta e Kryeziu ende trondisnin fushat e Apeninëve.

Ishte vendosur tashmâ.

“Eksperienca e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të vitit 1948 të na vlejë për kampionatin e ardhëshëm.”

Ky sllogan me të gjithë prozaizmin lindor të tij, në një farë mënyre kishte në mbrendësi diçka perspektive. Dhe më 2 tetor 1948 gazeta “Sporti” boton kalendarin e Kampionatit të ri për stinën e vjeshtës, siç thuhet, që ne sot i themi “periudha (faza) e parë” e Kampionatit.

Më 3 tetor 1948 Kampionati nis më serioz se asnjëherë tjetër. Madje në dy kategori, çka do të thotë dy Kampionate: 16 skuadra, 8 në të parën dhe 8 në të dytën. Befasia është se për herë të parë në kategorinë e dytë shohim si pjesëmarrës Skuadrën e dytë të Ushtrisë Kombëtare, që do të quhet Partizani II! Ndërkaq, një tetëshe e elitës: Tirana, Shkodra, Partizani, Kavaja, Elbasani, Korça, Vlora, Durrësi, duke u njinjisuar skuadrat me vetëm emrat e qyteteve, siç ishte në shumë vënde të Evropës Perëndimore, nis Kampionatin e parë Kombëtar.

“Ky kampionat zhvillohet për të parën herë në vendin tonë me një pjesëmarrje kaq të gjërë… Ky kampionat ka një rëndësi të madhe për nga zgjerimi i tij”.

Edhe këto deklarata mund t’i marrësh si sllogane natyrisht, por e vërteta ishte se Shqipëria kishte bërë një hap modern për futbollin, me versionin vjeshtë – pranverë, me dy kategori me numur të njëjtë skuadrash, me dëshirë të madhe për t’i përngjâ kontinentit të vjetër. Atë tetor 1948, askush megjithate nuk do të mund të parashikonte se ky kampionat – premierë do të zhdukej dhe për t’u kthyer në këte stil Shqipërisë do t’i duheshin edhe nja 15-16 vjet të tjera.

Më 3 tetor 1948 Java e parë është vërtet ndezëse. Partizani triumfon 3-0 ndaj Durrësit, Shkodra me vështirësi 1-0 ndaj Kavajës, Tirana shpërthen 3-0 në Vlorë dhe Korça nuk përmbahet me Elbasanin: 6-1! Mandej, më 10 tetor ndeshja Kavaja – Partizani dhe ushtarakët janë përtej çdo parashikimi: 5-1! Gjithë kësaj Shkodra i kundërpërgjigjet me një 1-0 të çmueshëm në Durrës dhe Tirana me një 2-0 Korçës në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Mbas një jave, më 17 tetor, Partizani fluturon: 9-1 Elbasanit! Zihni Gjinali shënon 6 gola! Sidoqoftë, dueli nuk është ky, por Shkodra – Tirana në fushën e Qytetit të Veriut. Tre firma të mëdha shkodrane ende nuk ishin rrëmbyer prej Ushtrisë: Bahri Kavaja, Loro Boriçi dhe Pal Mirashi. Tirana ka Giacomino Poselli-n e Bule Vathin, Isuf Pelingun e Xhavit Demnerin. Dhe krijojnë një kryevepër të kohës. E mundin 1-0 Shkodrën para tifozave të vet autoritarë, falë golit të vetëm të Kuranit në të 60′. Eshtë po kjo ditë kur 17 – vjeçari Skender Jareci, i dhuron fitoren Durrësit në Korçë me dy gola spektakolarë të tij në minutat 9 dhe 31. Në Vlorë ndërkohë, Kavaja zbukuron një 5-0 dërmues. Partizani vazhdon i pangopur në javën mbasardhëse: 5-0 Korçës! Hamdi Bakalli është autor i 3 golave. Fantastike është megjithate vetëm ajo çka shkruhet: “që kjo ndeshje (ndonëse e kampionatit), i kushtohet javës së miqësisë shqiptaro – sovjetike”!

Dhe ja ngjarja. Eshtë ndeshja e Shkodrës. Eshtë Shkodra – Vlora. Gjyqtari Niko Gjini ka rastin të miratojë golat e pambarim të rezultatit më të thellë të një ndeshje të kampionatit të Shqipërisë të Pasçlirimit”, si përcaktohet me saktësi të pagabueshme. Shkodra fiton 13-0! Askush sot nuk i ka dëgjuar këto shifra. Sekuenca e golave është marramendëse; Kavaja, Kavaja, Boriçi, Boriçi, Mirashi, Laçja, Boriçi, Mirashi, Gavoçi, Boriçi, Kavaja, Laçja, Boriçi! Pjesa e parë 5-0. Loro Boriçi 5 gola, Bahri Kavaja 3, Pal Mirashi 2, Lutfi Laçja 2! Ndërsa në Kavajë ka një dramë të vërtetë: fiton Tirana 3-2. Dhe Durrësi 3-0 Elbasanit.

Kështu mbrrihet te 14 nëntori 1948. Eshtë derbi i sapolindur Tirana -Partizani kur të dy kryesojnë me nga 8 pikë, nga 4 ndeshje, nga 4 fitore. Gjyqtarit Ejup Laçi i duhet të përballojë një nga ndeshjet më të vështira, më të rënda ku nuk mungojnë dhe gjestet para një auditori të ndezur prej 15.000 tifozash. Bakalli e Emiri nxiren jashtë. Dhe vetëm 0-0. Tirana spikat me Posellin, me Pelingun, Spahiun, Vathin, Demnerin e B.Boriçin, ndërsa Partizani me Bonatin, Dibrën, Fagun, Llambin, Parapanin, Gjinalin, Biçakun e Bakallin. Të tetë këta ishin titullarë të një Kombëtareje të rrallë! Dhe në Elbasan është mandej kryevepra gjithmonë “e vogël” e Shkodrës: 6-0 Elbasanit!

Papritmas, më 21 nëntor mbërrin ajo që do të mbetet në histori si java e ndërprerjes drastike.

Partizani – Vlora 4-0. Dhe Durrësi i Jarecit, Raq Manushit e Qemal Voglit që papritmas mposht Tiranën e fortë. Ajo që dikur ishte quajtur Teuta, po rritej nga java në javë. Shënojnë Manushi e Goshi dhe vetëm në të 87′ shkurton Demneri. Në Elbasan barazpesha vë vulën: 2-2. Me kavajasit shfaqet në fushën e lojës Bet Vila, madje me një gol që e mban Kavajën deri në të 65′ në epërsi. Shì në këtë ças do të marrë fund historia e këtij Kampionati.

Një javë para përfundimit të periudhës (fazës) së parë ardhja e skuadrës së Konfederatës së Punës së Rumanisë ku ishin edhe lojtarë të Kombëtares së këtij vëndi, shkakton ndërprerjen e cila pa ato çka do të ndodhnin më vonë, duket krejt normale. Janë dy ndeshje të forta me ate që emërtohet për shumë vite si skuadra e Qytetit të Tiranës. Fitojnë rumunët 2-0 dhe Qyteti ynë, i cili në të vërtetë gjithmonë ka përbërjen e Kombëtares, merr revansh në ndeshjen e kthimit të mbas dy ditëve me 2-1

Renditja e Kampionatit ka ndërkohë, këte kompozicion:
1.Partizani 11 5 1 0 26-2

2.Tirana 9 4 1 1 10-4

3.Shkodra 8 4 0 1 21-1

4.Durrësi 7 3 1 2 8-7

5.Kavaja 3 1 1 3 10-11

6.Korça 2 1 0 3 7-10

7.Elbasani 2 0 2 4 5-27

8.Vlora 2 0 2 4 2-27

Dhe? Pushim për të filluar periudha (faza) e dytë andej kah marsi 1949. Kështu veprohet edhe me kategorinë e dytë ku gjithashtu kryeson po Partizani, veçse ai që emërtohej “Partizani II”! Ushtria nuk sundon vetëm mbrojtjen e vëndit dhe për futbollin shqiptar ky është rasti i vetëm deri më sot ku dy Partizanë bëhen gati të fitojnë dy Kampionatet të Shqipërisë!

Më e rëndësishme ishte se për herë të parë futbollistët shqiptarë njiheshin me futbollin e vjeshtës javë pas jave. Për herë të parë dy kategori kampionatesh ecnin krah për krah, me shkuarje e ardhje të rregullta, të njëkohëshme, çka do të thoshte se 16 skuadra ishin thuajse në kushte të barabarta zhvillimi, organizimi, trajtimi.

Shembulli i imituar: Stalini i cili zhduk CSKA-në e Moskës

Partizani dihej, kuptohej që qëndronte më lart. Ai kishte fituar titujt e viteve 1947 dhe 1948, e padyshim, me formimin e tij të shpejtë përmes urdhërave të politikës, e cila nuk do të mbetej prapa përvojës së vëndeve të tjera komuniste me të cilët Shqipëria ishte lidhur aq ngushtë edhe në sport, sa vinte e forcohej.

E vërteta është se ky Partizan 1948-49, ishte padyshim skuadra me pikat më të forta, e për ate që propagandohej me të madhe në Shqipëri, “përvetësimin e sistemit ëM”, ai kishte elementët më të përshtatshëm për ta interpretuar ate. Dibra dhe Fagu në mbrojtje, Llambi në një lloj mesfushori – mbrojtës të sotëm, Parapani, Gjinali, Biçaku e Bakalli në sulm, ishin një unitet, bazamenti i vetë Kombëtares së fortë të 1948.

Pritej periudha (faza) e dytë e Kampionatit e cila siç njoftohej, do të rifillonte në muajin mars të 1949.

Po për fat të keq në atë pranverë të idhët, do të inskenohej e shpejtë, e pamshirëshme, befasuese, pikërisht zhdukja e këtij Kampionati. Dhe ky rast përbën atë që nëntitulluam: “Edhe Partizani e ka Kampionatin e tij të mohuar”…

E pra, ku mbështetej Shqipëria që shpërthen kësisoji në absurdin e pashembullt të kësaj pranvere 1949?

Dhe ja tek mbërrijmë te një rast që ka bërë histori të gjeopolitikës në historinë e futbollit botëror dhe që për çudi i përket Josif Visarianoviç Stalinit! E ka treguar në studimin e tij autori Erik Brouëer në esenë historike “Topi i burgosur: futbolli i diktatorëve”, botuar në Limes” 2005.

“Më 1948”, tregon Bruuëer, “Stalini mëtonte me një dekret që “epërsia sovjetike në sportin botëror të realizohej në një të ardhme shumë të shpejtë”. Futbolli nuk përjashtohej prej këtij urdhëri dhe pikërisht për këte, Lojërat Olimpike të Helsinkit u konsideruan tejet të rëndësishme. Takimi i parë u fitua si të thuash, në fije të perit 2-1 kundër Bullgarisë, por në turin tjetër erdhi një humbje çnderuese 1-3 nga Jugosllavia e të urryerit Tito. Më keq se kaq nuk mund të shkonin punët. Shpërtheu ndërkaq, gjuetia ndaj fajtorëve. Para së gjithash Politbyroja analizoi deri në imtësi humbjen. Një nga anëtarët e saj kërkoi dorëheqjen e trajnerit Arkadiev, i cili sipas të dhënave të sigurta, nuk e kishte lexuar kryeveprën e fundit të Stalinit, “Problemet ekonomike të socializmit në BRSS”.

Më 18 gusht 1952 komisioni sovjetik për Edukimin Fizik dhe Sportin, shpalli një komunikatë në të cilën përveç të tjerave, lexohej:

“Duke humbur kundër Jugosllavisë, skuadra e BRSS i ka shkaktuar një dëm të madh prestigjit të sportit sovjetik dhe të vetë Kombëtares ruse. Një hetim i thellë tregoi se mbrojtësit Bashashkin dhe Krizhevskij nuk i kryen detyrat e tyre në mënyrë optimale, duke mos përdorur vendosmërinë e duhur në duelet me kundërshtarin. Nikollajev ka luajtur shumë keq dhe Beskov është sjellë si të ishte një frikacak. Petrov u tregua i padisiplinuar dhe deri i paedukuar me shokët e tij. Sjellja e tij shkaktoi vetëm nervozizëm në skuadër”.

Lojtarët e akuzuar do të skualifikoheshin për një vit dhe duhej të rikthenin të gjithë titujt e nderit që kishin marrë për merita sportive. Skuadra e ushtrisë CSKMO (më pas CSKA), që ishte serbatori parësor i lojtarëve të Kombëtares, u dënua edhe më fort. Stalini urdhëroi shkrirjen e menjëherëshme të klubit. Periudha që erdhi mbas këtyre vendimeve, ishte mjaft e turbullt. Kampionati rifilloi ndërkaq, dhe për fat dekreti ende nuk ishte firmosur. CSKMO i kishte zhvilluar tri ndeshjet e para përpara se klubi të ishte përjashtuar nga gara. Publiku kishte mbetur krejt i paqartë, sepse partia kishte urdhëruar shtypin për një censurë të përgjithëshme rreth kësaj çështjeje. Gjithçka do të zbulohej dy muaj më vonë, kur e përkohëshmja “Sovjetskij Sport” publikoi Renditjen e Kampionatit pa CSKMO-në

Skualifikimi i klubit mbeti në fuqi deri sa vdiq Stalini, më 1953. Vetëm mbas vdekjes së tij ai menjëherë u anulua dhe CSKMO rifilloi përsëri të merrte pjesë në në Kampionat, duke nisur nga viti 1954”, e përfundon këte theksim historik përimtues Erik Brouëer.

Përjashtimi i Jugosllavisë dhe mohimi i madh i sportit shqiptar

Ngjarja e përjashtimit të Jugosllavisë nga i ashtuquajturi Kampi i Demokracive Popullore që do të mbrrijë kulmin me Rezolutën e Byrosë Informative “Mbi gjëndjen në Partinë Komuniste Jugosllave” më 30 qershor 1949, do të ndikonte aq fort edhe në sportin shqiptar.

Ngjarja e përjashtimit të Jugosllavisë nga i ashtuquajturi Kampi i Demokracive Popullore që do të mbrrijë kulmin me Rezolutën e Byrosë Informative “Mbi gjëndjen në Partinë Komuniste Jugosllave” më 30 qershor 1949, do të ndikonte aq fort edhe në sportin shqiptar.

E vërteta është se gjithë ai pasion për këte Kampionat 1948-49, papritmas, ashtu si Stalini që shuan CSKA-në (CSKMO) e Moskës, do të shuhej edhe ai pikërisht qysh më 11 dhjetor 1948 kur flitet për herë të fundit për te. Ndërkohë që pritej marsi për rifillimin e fazës së dytë, asaj të pranverës, për gjithë këto muaj asnjë fjalë nuk do të dëgjohet për këte kampionat. Sikur të mos kishte ekzistuar kurr! Eshtë një heshtje shembullore, mënyra më e mirë për të zhdukur, shuar, hequr, harruar një ngjarje, një veprimtari, në rastin tonë një kampionat futbolli. Ashtu si shtypi sovjetik në rastin e CSKA-së, asnjë përmendje, asnjë vendim i veçantë për te, asnjë përfolje, asnjë sqarim. Rrallë mund të gjëndet në histori ky lloj qëndrimi bizantin për të shuar një kampionat futbolli, i cili e pakta për afër 3 muaj, kishte mbajtur ndezur një pasion të madh popullor, një spektakël të këndshëm të së dielës, një formim futbollistësh përmes një ecurije aq shpresëdhënëse.

Ajo çka do të ndodhte më mbas do të ishte edhe më e rëndë, tejet më e rëndë për fatet e ardhëshme të sportit shqiptar…