Juventusi po përgatiste “bombën” e madhe të merkatos duke ëndërruar dyshen Mesi-Kristiano Ronaldo. Por ishte pikërisht ylli portugez që ndaloi gjithçka dhe frenoi “çmendurinë” e bardhezinjve. Lajmin e bën të ditur “Don Balon” nga Spanja, që raporton se kampionët e Italisë e kishin marrë seriozisht mundësinë për të transferuar Leon në Torino, madje duke bërë sakrifica të mëdha në aspektin ekonomik dhe sportiv.
“Zonja e Vjetër” duket se qëndroi në heshtje dhe pasive kur bëhej fjalë për të transferuar Mesin, por në fakt kishte strategji të qartë. Fabio Paratiçi dhe Andrea Anjeli ishin gati të ofronin tre futbollistë në drejtim të Barcelonës, të cilët iu pëlqenin edhe katalanasve: Paulo Dibala, Matajs De Ligt dhe Aleks Sandro. Në këtë mënyrë do të bindnin Barcelonën që të pranonte ofertën duke mos kërkuar 180 milionë euro për kartonin e “Pleshtit”.
FRENON RONALDO- Por ishte pikërisht Kristiano Ronaldo ai i cili pengoi këtë transferim të bujshëm. Arsyeja? Nuk është as për xhelozi apo për inat dhe rivalitet mes njëri-tjetrit. Portugezi nuk ishte dakord që Juventusi të sakrifikonte këta lojtarë, të cilët i konsideron shumë të rëndësishëm dhe mendonte se do të prishej boshti i krijuar në merkaton e viteve të fundit.
Edhe për Ronaldon do të ishte ëndërr e bukur dhe për futbollin diçka historike që të shihte përkrah njëri-tjetrit dy nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Por ja që mes të luajturit me Mesin dhe ruajtjen e 3 futbollistëve te “Zonja e Vjetër”, CR7 zgjodhi këta të fundit. Sigurisht që është diçka që ha shumë debat, por në Spanjë raportojnë se është shumë e vërtetë dhe nuk ka dyshime për diçka të tillë.
E bllokoi këtë operacion me shpresën së të gjithë si grup të vazhdojnë rrugëtimin që kanë nisur për të dominuar Italinë, por edhe rikthimin te Champions-i. Ndoshta me Leon do të ishte më e lehtë, por ja që Ronaldos i pëlqejnë gjërat e vështira.