Në çdo klub futbolli, jo gjithçka mund të shkojë vaj, për më tepër kur bëhet fjalë për merkaton, ku futen në mes disa “aktorë”. Kësisoj, mes trajnerit dhe drejtuesve nuk është e thënë që të ketë patjetër ide të njëjta, sepse kjo varet edhe nga mundësitë që ka klubi.
Edhe te Partizani, për shkak të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur pas përfundimit të sezonit 2020- 2021, ka qenë e pritshme të kishte jo vetëm fluks sa u përket afrimeve, por edhe mospërputhje idesh mes Ilir Dajës dhe drejtorit Olsi Rama për lojtarë të veçantë.
“Panorama Sport” mëson se ashtu sikundër ka pasur dakordësi për lojtaret e afruar deri më tani, mes Dajës dhe Ramës, gjithashtu ka pasur ide të kundërta për disa afrime të projektuara dhe që ende nuk janë zyrtarizuar.
NISJA, ME DAMÇEVSKIN
Gazeta mëson se gjithçka nisi me mbrojtësin maqedonas, Damçevski, i cili fillimisht nuk e bindi Dajën, por më pas drejtuesit këmbëngulën që ai të firmoste dhe trajneri e miratoi diçka të tillë, edhe për faktin se ishte një moment kur u dëmtua Emiljano Musta dhe alternativat në repartin e prapavijës në Europë ishin të pakta.
RASTI ME HASANIN
Mirëpo, që përpara se Partizani të niste aventurën europiane, mund të thuhet se Ferhan Hasani ka qenë pikënisja e mospërputhjeve. Vetë fantazisti, në intervistën e dhënë për gazetën kur u largua nga “demat”, deklaroi se nuk ka asgjë me drejtuesit, duke ia faturuar gjithçka Dajës.
Mësohet se në javët e fundit ka pasur edhe elementë të tjerë për të cilët palët nuk kanë rënë dakord. Politika e klubit është që do të afrojë lojtarë shumë të rëndësishëm për emrin e Partizanit, nga ana tjetër Daja do që gjithçka ta ketë funksionale, pasi koha nuk pret dhe në këtë moment emrat e njohur nuk është se e befasojnë trajnerin.
Por, në këtë situatë nuk përjashtohet mundësia që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe kërkesat e trajnerit për merkato të plotësohen të gjitha. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që përplasja të thellohet.
PËRPLASJE PËR BASHËN
Edhe rasti më i fundit i Migjen Bashës, me të cilin Rama ka arritur marrëveshjen, është në këtë vorbull, ku dilemat janë të mëdha, për vetë faktin se mesfushori është në përfundim të karrierës.
Kur u pyet për transferimin e Bashës, trajneri Daja tha për “Panorama Sport” se çdo vendim te Partizani merret unanimisht mes të gjitha palëve. Dhe teksa mesfushori nuk i është bashkuar ende Partizanit, lind dyshimi se dakordësia mes stafit teknik dhe atij drejtues nuk është gjetur ende.