Vllaznia e menaxhuar nga bashkia po has në probleme të mëdha financiare në muajin më deciziv për sa i përket merkatos. Drejtuesit e klubit do e kenë shumë të vështirë për të përmbushur kërkesat e trajnerit Agim Canaj. Ky i fundit ka kërkuar afrimin e tre futbollistëve cilësore, por askush për momentin nuk ka firmosur te Vllaznia. Gazeta “Panorama Sport” ka zbardhur disa nga arsyet që frenojnë klubin për të afruar lojtarët e dëshiruar në këtë pjesë të dytë të sezonit. Gjatë ditëve të fundit është folur shumë për lojtarët e afruar, por ata kanë qenë thjesht në provë dhe pa kontrata me skuadra të tjera. Situata Bashkia e Shkodrës ka qenë korrekte me rrogat e lojtarëve në pjesën e parë të këtij sezoni, por një shqetësim për sa u përket afrimeve në merkato mbetet fondi që do të këtë në dispozicion të klubit. Ky i fundit nuk di ende se sa do të jetë buxheti i bashkisë për Vllazninë gjatë vitit 2014. Për momentin, arka e klubit është e boshatisur dhe nuk ka në dispozicion një fond konkret për merkaton. Në këto kushte duket gati e pamundur që Vllaznia të afrojë lojtarë cilësorë pa u dhënë garanci financiare. Nga ana tjetër, sikur të mos mjaftojë fakti që nuk dihet se sa do të jetë fondi për këtë vit, klubi pritet të mbetet peng edhe i lëvrimit të tij. Miratimi i fondit për klubin e futbollit mund të bëhet në fund të janarit nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, mirëpo në këto kushte parà në dispozicion të skuadrës do të ketë vetëm në fillimin e shkurtit. Për të afruar një lojtar cilësor, klubi nuk është në gjendje të japë një këst të kontratës në dorë në momentin e firmosjes së kontratës gjatë kësaj periudhe. Futbollistët cilësorë kërkojnë garanci financiare dhe, në këtë situatë, i vetmi shpëtim i Vllaznisë është afrimi i donatorëve, të cilët mund të ndihmojnë klubin, duke dhënë parà kesh. Nëse drejtuesit nuk arrijnë që të gjejnë ndonjë donator potencial, kjo mund të ketë ndikim direkt në arritjen e një marrëveshjeje me lojtarët që trajneri Canaj ka piketuar. Në këtë situatë, lojtarët që kërkohen nga Vllaznia duhet të pranojnë kushtin e klubit për një kontratë, nga e cila do të paguhen vetëm me rroga mujore. Këto të fundit nuk shkojnë më shumë se 1500 euro për një futbollist. Përjashtime mund të jetë bërë në verën e vitit të kaluar me emra si Vujadinoviç, Rajoviç e Bushiç. Tre të huajt që luajnë për Vllazninë mësohet se janë ndër më të paguarit dhe klubi ka bërë një sakrificë financiare, duke ua rritur pagën. Ndërkohë, gjithçka vështirësohet për klubin në këtë periudhë, edhe për faktin se ka një borxh të mbartur prej 200 milionë lekësh të vjetër. Këtu futen tri rroga të padhëna për lojtarët gjatë sezonit të kaluar, si dhe pagesa të klubit ndaj palëve të treta. Çështja financiare mbetet shqetësimi primar dhe nuk është çudi që Vllaznia ta mbyllë merkaton me disa afrime që s’bëjnë diferencën.
Admir URUÇI
Pesë arsyet e ngërçit
1. Klubi nuk di ende se sa do të jetë buxheti i bashkisë për Vllazninë gjatë vitit 2014. Për momentin, arka e klubit është e boshatisur dhe nuk ka në dispozicion një fond për merkaton.
2. Klubi pritet të mbetet peng i lëvrimit të fondit të bashkisë për futbollin, pasi miratimi i tij mund të bëhet në fund të janarit dhe parà në dispozicion do të ketë vetëm në fillimin e shkurtit.
3. Klubi nuk është në gjendje të japë një këst të kontratës në dorë për lojtarët në momentin e firmës gjatë kësaj periudhe, mirëpo futbollistët cilësorë kërkojnë garanci financiare.
4. Lojtarët që kërkohen nga Vllaznia duhet të pranojnë kushtin e klubit për një kontratë, nga e cila do të paguhen vetëm me rroga mujore. Këto të fundit nuk shkojnë më shumë se 1500 euro.
5. Klubi ka një borxh të mbartur prej 200 milionë lekësh të vjetër. Janë tri rroga të padhëna për lojtarët gjatë sezonit të kaluar, si dhe pagesa të prapambetura ndaj palëve të treta.