Karlo Ançeloti është zyrtarizuar dy ditë më parë si trajneri i Real Madrid. Por gjërat mund të kishin shkuar shumë ndryshe nëse ai do të kishte vendosur që në vend të asaj ofertë të Florentino Perez, të kishte pranuar atë që i erdhi nga Milani, më saktësisht nga Interi.
E përditshmja spanjolle “AS” ka mësuar se para se të niste bisedimet me Real Madrid, Ançeloti është kontaktuar nga drejtuesit e Interit, të cilët kishin mësuar prej kohësh se Antonio Konte kishte ndër mend të largohej në fund të edicionit, i pakënaqur me planet e klubit. Ata i ofruan Ançelotit mundësinë që të kthehej në Itali si protagonist, pasi do të drejtonte kampionët dhe do të ishte pjesëmarrës në Ligën e Kampioneve.
Por trajneri, përtej interesit, pranoi se do ta kishte shumë të vështirë që të drejtonte te Interi, si pasojë e të kaluarës së tij me fanellën e Milanit e më pas në stolin e tij.
Për fatin e mirë të Ançelotit, menjëherë pas refuzimit ndaj Interit, erdhi telefonata e Perez, i cili e ftoi të kthehej përsëri në Madrid. /vipsport/