Edi Reja pritet të jetë trajneri i ri i Sh qipërisë deri në fund të eliminatoreve të Europianit 2020. Mediat italiane raportojnë se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka luajtur “blofin” për takimin me Alberto Zakeronin.
Mësohet se pak ditë më parë ai është takuar sërish me ish-trajnerin e Lacios për të diskutuar detajet e fundit të kontratës dhe paraprakisht është mbyllur gjithçka mes palëve. 73-vjeçari ka pranuar ofertën e Dukës dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka studiuar kontingjentin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion.
Sa i përket opsionit “Zakeroni”, ka shumë të ngjarë që Duka ta ketë hedhur vetë në treg si mundësi, për t’i bërë “presion” Rejës se kishte alternativa të tjera po aq serioze dhe në këtë mënyrë të ulte pretendimet financiare të trajnerit të ardhshëm kuqezi.
PËRFITIMI
Është vetëm çështje ditësh zyrtarizimi i Edi Rejës në krye të stolit kuqezi. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Reja do të ketë një kontratë afro 250 mijë euro për gjithë edicionin e eliminatoreve të “Euro 2020”. Kjo shumë do të jetë vetëm për të, ndërsa paga për ndihmësit e tij do të jetë më vete.
Mësohet se Reja ka pasur pretendime më të larta, por Duka ka përdorur formulën “De Biazi”. E thënë ndryshe: i ka ofruar 200 mijë euro shpërblim nëse Shqipëria do të mund të kualifikohet në Europian. Reja, pas shumë hezitimesh, e ka pranuar këtë marrëveshje dhe tashmë mbetet vetëm firma.