Erhun Obanor ishte protagonist i një ngjarje të shëmtuar dje në Shkodër, teksa goditi me shkelm Herald Markun.

Pas përfundimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Laçit, ku në finale u kualifikuan kuqeblutë pas fitores 1-0, qendërmbrojtësi afrikan e humbi toruan duke goditur Markun.

Ai u justifikua me pretendimin se lojtari i Vllaznisë e kishte provokuar dhe sharë gjatë gjithë 90 minutave. Edhe pse takimi kishte përfunduar, kartoni i kuq për të nuk mungoi. Përpos kësaj, kjo ngjarje e shëmtuar është arkivuar për t’u gjykuar nga Komisioni i Disiplinës.

Sikurse muaj më parë të shokut të tij të skuadrës, Nwabueze që goditi me grushta Jankun në Ballsh, ashtu edhe Obanor rrezikon të dënohet rëndë në këtë fund kampionati.

Kujtojmë që sulmuesi i Laçit u pezullua 8 ndeshje nga organi i drejtësisë sportive. Nëse Obanor ka të njëjtin fat si shoku i tij i ekipit, padyshim që Shpëtim Duro do të humbiste një nga lojtarët kyç të formacionit të tij titullar në këtë fund të edicionit futbollistik.