“Nuk mund të mbahet Vllaznia me paratë e jetimeve”. Ky është sinjali që ka dhënë Prefekti i Qarkut Shkodër Paulin Radovani për Bashkinë Shkodër e cila është pronare e Klubit Vllaznia. Prefekti bëri thirrje që skuadra kuqeblu të mos trajtohet më politikisht si dhe për këtë klub të gjehet një zgjidhje nga Bashkia për ta lënë në duart e biznesmenëve sepse sipas tij më parë duhen zgjidhur të gjitha problemet që Shkodra ka, e më pas të mendohet për buxhetin e Vllaznisë. “Nëse teprojnë para, Bashkia mund ta mbajë Vllazninë me lekët e taksapaguesve ose me fondet e shtetit por vetëm kur të jenë krijuar të gjitha kushtet e tjera dhe kur të jenë zgjidhur të gjitha problemet që Shkodra ka. Në asnjë mënyrë nuk duhen përdorur fondet që kanë një destinacion për tu çuar diku tjetër, si në rastin kontret të akordohen për Vllazninë. Unë mendoj, jo se jam larg Këshillit të Bashkisë Shkodër por Vllaznia të mos trajtohet më politikisht, të fitojë kush të fitojë por Vllanznia të bëjë punën e saj. Vllaznisë ti gjehet o një grup pronarësh ose një pronarë ose le ta themi një grup aksionerësh ose një aksioner dhe njëherë e mirë të çlirohet nga këto probleme. Vllaznia nuk mund të mbahet me paratë e jetimëve as të shtëpisë së të moshuarve” – ka deklaruar Prefekti Radovani. Përfaqësuesi i Qeverisë në Shkodër deklaroi se është gabim i madh fryerja artificiale e aseteve të Vllaznisë sepse sipas tij sa më shumë të rritet kjo vlerë aq më shume largohen biznesmenët që kanë mundësi për ta marrë Vllazninë. “Dikur kemi thënë që Vllaznia duhet të vlerësohet me aksione, është bërë gabimi më i madh atëherë kur u fut edhe fusha e ish-fabrikës së lëkurave (sot fusha sportive “Reshit Rusi” e akademisë “Vllaznia”) brenda aseteve të Klubit. Përditë bëhet gabim kur fruhen asetet e Vllaznisë, nëse do të hapim diskutimet kemi thënë mos e fryeni Vllazninë. Tjerët kujtonin se donim ta mbanim Vllazninë me vlerë të vogël se blihej menjëherë. Sa më shumë që i rritet vlera Vllaznisë aq më shumë largohen biznesmenët prej saj të cilët edhe mund të kenë mundësi për ta marrë këtë klub. Idea ime personale ka qënë që Bashkia që ka fryrë vlerën e klubit aq shumë, të gjente një zgjidhje, ndoshta edhe të jepej me qera në mënyrë që atë person që investon të mos rëndohet aq shumë. Vllaznisë përveçse duhesh ti paguash paratë sikur të shitet për tu blerë do rreth 400 mijë euro çdo vit për ta mbajtur. Pra edhe sikur Bashkia ta japë falas, atëherë investitori duhet të harxhojë paratë e veta për ta mbajtur. Prandaj them se ndoshta duhet menduar me këmbë në tokë, Vllaznia një ditë, Vllaznia e gjithë “Vllaznitë” që ka ky qytet, nuk është koha e fajdeve se ka shkuar “pazari” lart. Nuk jam tifoz por pazari ka shkuar lart, duhet të jemi me këmbë në tokë” – deklaroi Prefekti Radovani. I pyetur nëse si biznesmen është i gatshëm për të kontribuar bashkë me një pjesë tjetër ashtu si më parë, Prefekti Radovani përjashtoi automatikisht çdo mundësi. A jeni i gatshëm të kontribuoni për Vllazninë ashtu si më parë? Unë të futem në këtë lojë? – S’më takon mua, përjashtohem automatikisht, nuk kam të drejtë. Sezone më parë Paulin Radovani, në kohën kur mbante postin e këshilltarit të Bashkisë Shkodër, bashkë me një grup tjetër biznesmenësh nga Shkodra ka qenë pjesë e investimit të klubit Vllaznia por që nga ajo kohë e deri më sot gjërat kanë ndryshuar tepër. Të gjithë ata biznesmenët e mëparshëm që kanë drejtuar Vllaznisë, i janë ngjeshur fuqishëm politikës duke aderuar në roca të ndryshme gjë e cila ka përçarë edhe klubin kuqeblu duke krijuar situatën aktuale aspak pozitive. Kohët e fundit para se të emërohej Prefekt i Shkodrës, Paulin Radovani, në Këshillin e Bashkisë ka qenë një ndër zërat më kritik sa i takon situatës tek Vllaznia, zë i cili në mbledhjet e tanishme realisht mungon. Tashmë Radovani në rolin e Prefektit nuk ka shfaqur asnjë dëshirë për t’u rikthyer por ka bërë thirrje që Bashkia të heqë dorë nga Vllaznia, si e pafuqishme për ta mbajtur siç duhet.

Senad NIKSHIQI