Prefekti i Qarkut Shkodër, z. Paulin Radovani, në takimin e zakonshëm që bën fundjavave me gazetarët, dje ka folur gjatë edhe për sportin. Temat kanë qenë të tilla saqë ai mund të fliste, si për stadiumin “Loro Boriçi” ashtu edhe për Vllazninë dhe largimin e kompanisë “Gea Sport”, për të cilën vetë pat patur dyshime dhe jo më kot ka hezituar të firmosë kontratën e nënshkruar mes palëve. Radovani, ka folur edhe në rolin e biznesmenit, jashtë detyrës së tij politike, duke i bërë thirrje Bashkisë t’i japë një zgjidhje të mirë klubit shkodran madje ka shprehur gatishmërinë që edhe të financojë nëse bëhet një grup biznesmenësh sëbashku për ta shpëtuar këtë skuadër.
Çështja e stadiumit
Prefekti Radovani ka qenë përkrah kryeministrit Rama në momentin kur është hedhur ideja e parë e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi’. Dje, ai ka bërë të qartë edhe disa detaje të asaj bisede dhe mënyra si mendohet të bëhet ky rikonstruksion. “Në vizitën e parë në Shkodër kryeministri u tregua i gatshëm, edhe për ndërtimin e tribunës kryesore por edhe të tribunës tjetër. Ideja është që të dyja këto tribuna të mos ngrihen në lartësinë e dy tribunave të tjera por më të vogla. Z. Rama është treguar i gatshëm që me fondet e Qeverisë shqiptare të bëjë një stadium për së mbari për Shkodrën. Të mos harrojmë se ky premtim është bërë pa u zhvilluar ndeshja me Serbinë dhe ngjarjet që rrodhën më pas, besoj se e kanë rritur oreksin dhe dëshirën e kryeministrit për të bërë diçka për këtë stadium. Edhe sa u tha në atë bisedë po të bëhej do ishte gjë e mirë. Po të bëhej më shumë, natyrisht që do ishte një gjë e madhe”.
Çështja e Vllaznisë
Radovani ka folur edhe për Vllazninë aktuale dhe ka hedhur edhe idenë e bashkimit të një grupi biznesmenësh për t’i dalë për zot asaj në këto momente derisa Bashkia të gjejë një zgjidhje përfundimtare. “Të jeni të bindur se Bashkia nuk ka njerëz pas dere me paratë në dorë për t’i investuar tek Vllaznia dhe ajo nuk dëshiron t’ia japë. Mund të jetë e vërtetë që ndonjëri ka shfaqur edhe interes për ta marrë atë, por njëri thotë se pretendon të më njohë këtë, dikush tjetër thotë me ba atë. Në fakt statusi ligjor për t’ua plotësuar këto kërkesa nuk është. Vllaznia akoma duhet të mbahet me donatorë. Nëse njëri iku, duhen gjetur të tjerë. Nëse bëhen disa bashkë, mund t’ia dalim. Unë i pari do isha bërë pjesë e këtij grupi biznesmenësh për të kontribuar për skuadrën derisa të gjendej një zgjidhje përfundimtare. Por për ta bërë këtë gjë, duhet të jenë brenda këtij grupi të gjithë këto persona që thashë më sipër, plus të tjerë sepse nuk mjaftojnë”- ka thënë Prefekti.
Rruga ligjore
Për ish- anëtarin e Këshillit Bashkiak, kthimi në shoqëri aksionere i Vllaznisë ka qenë një ide krejtësisht e gabuar e për këtë arsye, ai nuk ka hezituar edhe të drejtojë gishtin për njerëzit përgjegjës. “Bashkia që në fillim e ka nisur mbrapsht këtë punë. E ka nisur keq dhe ka mbetur në një pellg ku nuk e ka kollaj të dalë. Por u bënë shumë gabime. Filluan të rrisin vlerën e aksioneve, filluan të fusin pjesë e shoqërisë aksionere edhe fushën e stërvitjes. Disa nënkryetarë e administratorë filluan të bëjnë shpikje me Vllazninë, sepse në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak ndryshonin statutin e shoqërisë aksionere”- ka thënë më tej ai.
Hezitimi për kontratën me “Gea Sport”
U pat bërë publike që në korrik se Prefekti ka dyshime për kontratën në mes Bashkisë Shkodër dhe kompanisë “Gea Sport”. Radovani i është rikthyer edhe njëherë kësaj teme duke shpjeguar atë çfarë kishte menduar atëherë prandaj ka thënë: “Unë kam hezituar të miratojë kontratën që Bashkia Shkodër firmosi me firmën “Gea Sport” e këtë për disa arsye sepse kërkoja ku ishte garancia e kësaj firmës, cilat ishin penalitetet në rast prishje të saj etj. Unë e kam miratuar atë kontratë parimisht, por kam shënuar këto vërejtjet e mia: mungesën e garancisë dhe penalitetet. Sepse edhe po të ikte firma, ne i kishim paratë në bankë për të paguar futbollistët. Nuk do kishim frikë për prishjen e kontratës ndërsa tani duhet ta bëjmë shkallën e parë të gjyqit në Shqipëri dhe të dytën në Zvicër”.
Pikëpyetjet për të ardhmen
Prefekti në fund të fjalës së djeshme për sportin ka dhënë edhe një ide sesi mund të veproj Bashkia për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për çështjen e Vllaznisë duke thënë: “Bashkia duhet ta mbylli këtë muhabet. Nuk është një organizim aq i specializuar sa të merret deri në këtë shkallë një skuadër sportive. Nuk ka eksperiencën, nuk ka personelin, nuk ka forcën. Duhet të jetë e kënaqur sepse kontribuonme një masë parash, pjesën tjetër duhet të merren ata që e kanë me qejf. A don ta marrë Valter Fushaj, Agron Çela, apo Tom Doshi, ç’rëndësi ka kush janë dhe çfarë ngjyre politike kanë. Rëndësi ka të merret një që e mban Vllazninë në këmbë. Sot është momenti që derisa të gjendet një njeri i tillë, hajde të bëhemi bashkë dhe të mbajmë Vllazninë. Të ulemi si jemi ulur dikur e t’i japim një dorë asaj, më tepër s’mundem të them”.
Gjergj KOLA