Nga Endri ÇINARI

Bekim Balaj për momentin është golashënuesi më i mirë në kampionat. Sulmuesi i Vllaznisë deri më tani e ka gjetur rrjetën 11 herë, duke qenë kështu jo vetëm lideri i kuqebluve. Por edhe pretendenti kryesor për fitimin e “Këpucës së Artë” në fund të sezonit. Eksperienca dhe cilësia e 33-vjeçarit kanë sjellë rezultate tek shkodranët.

Ku patjetër nga ish-sulmuesi i Rijekas apo Boluspor pritet çdo herë gol. Edhe në ndeshjen e nesërme përballë Partizani, sytë janë të drejtuar nga numëri 9-të.

Dhe kjo ka një arsye sepse që nga rikthimi në janarin e vitit 2023 tek Vllaznia, Partizani është “preja” e preferuar e Balajt. Golin e parë pas rikthimit në Superiore, Balaj ia ka shënuar pikërisht të kuqve.

Në një barazim 1-1 mes Vllaznisë dhe kryeqytetasve në sezonin e shkuar. Po ashtu Balaj ka gjetur golin ndaj “demave” edhe në ndeshjen e fazës së katërt në sezonin e shkuar, në një humbje 2-1 të kuqebluve.

Kapiteni shkodran ka shënuar po ashtu kundër Partizanit edhe në ndeshjen e fazës së parë të këtij edicioni. Duke e dërguar në një total prej 3 golash shifrën kundër Partizanit.

Pra, nga 16 golat që ka shënuar Balaj që pas rikthimit tek Vllaznia sezonin e shkuar, ku 14 i ka shënuar në kampionat, 1 në kupë dhe 1 në Conference League, 3 prej tyre ia ka realizuar Partizanit. Duke e shndërruar kështu në ekipin e preferuar, së bashku me Erzenin. Ku edhe shijakasve, Balaj i ka shënuar 3 herë që pas rikthimit në Superiore.